Merdare, foto nga arkivi

Nezir Mehmetajt i vazhdohet ndalimi në Serbi, reagon ministri Konjufca

Ministri i Jashtëm  dhe për Diasporë i Kosovës, Glauk Konjufca ka bërë të ditur se shtetasit të Kosovës Nezir Mehmetaj i është vazhduar ndalimi nga autoritetet në Serbi.

Konjufca ka bërë thirrje që Beogradit t’i ndalohet praktika e arrestimeve të shtetasve të Kosovës.

“Autoritetet serbe kanë vazhduar ndaimin e shtetasit kosovar Nezir Mehmetaj i cili fillimisht u arrestua në vendkalimin kufitar Merdare në janar të vitit 2020. Ministria e Punëve te Jashtme dhe Diasporës u bën thirrje partnerëve tanë ndërkombëtarë Ambasadës së ShBA-së dhe BE-së që të kërkojë që Beogradi të ndalojë këtë praktikë”, ka shkruar Konjufca në Twitter.

KALLXO.com kishte raportuar se Nezir Mehmetaj nga fshati Rudnicë e Komunës së Klinës është arrestuar pikëkalimin kufitar në Merdarë nga autoritet e Serbisë, me 4 janar 2020.

Mehmetaj i cili jeton në Zvicër ishte duke u kthyer nga Serbia për në Kosovë, pasi atje raportohet se kishte shkuar më nënën e tij për shërimin e saj.