Nexhmi Krasniqi nesër merret në pyetje në lidhje me rastin Dehari

Nexhmi Krasniqi, drejtori i Policisë së Prizrenit në kohën e vdekjes së dyshimtë të Astrit Deharit pritet që nesër të intervistohet nga Policia e Kosovës.

Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se Krasniqi pritet që të dëgjohet në lidhje me vdekjen e Deharit, e cila kishte ndodhur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Nexhmi Krasniqi pas vdekjes së Astrit Deharit kishte qenë ndër të parët që e kishte cilësuar vdekjen e tij si vetëvrasje.

Sipas njoftimit të ish-drejtorit Krasniqi, Astrit Dehari kishte përdorur disa medikamente dhe kishte rënë në gjendje kome, e më pas, gjatë rrugës për në Emergjencë, kishte ndërruar jetë.

“Në bazë të informatave të para që kemi marrë nga drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, viktima ka përdorur disa medikamente dhe ka ra në gjendje kome. Rrugës për në Emergjencë ka ndërruar jetë. Në Emergjencë ka shkuar pa shenja jete”, kishte deklaruar Nexhmi Krasniqi.

Vdes në Qendër të Paraburgimit një Aktivist i VV-së

Hetimet për rastin misterioz Dehari janë duke vazhduar pasi instituti zviceran nuk ka përjashtuar mundësinë që Astrit Dehari të jetë vrarë.