Skenë nga filmi 'Zgjoi'. Foto: QKK.

"New York Times" me recension për filmin "Zgjoi"

Përmes një drame të fuqishme dhe plot tension, regjisorja Blerta Basholli eksploron jetën e grave, burrat e të cilave janë zhdukur në luftën e Kosovës.

Drama “Zgjoi” hapet me filmin baras me një dore që t’kap për fyti. Një grua hijerëndë me një profil të fortë, monumental qëndron e vetme pranë një kamioni. Njerëzit sillen vërdallë, duke murmuritur në mënyrë të paqartë, raporton gazeta amerikane “The New York Times”.

Befas, gruaja futet nën një shirit policie dhe futet në kamion, ku me nxitim fillon të zbërthejë thes pas thesi të bardhë kufomash dhe të skanojë po aq shpejt përmbajtjen e tyre, me hundën e rrudhosur në tufat e ekspozuara të veshjeve të copëtuara, mbetjet e personave të zhdukur. Pastaj nxirret prej aty shpejt nga një punëtor, porse kërkimi i saj vazhdon edhe më.

Gruaja e quajtur Fahrije (që luhet nga Yllka Gashi) është në kërkim të bashkëshortit të saj, një prej të zhdukurve, i cili është zhdukur vite më parë gjatë luftës së Kosovës. Tani, me dy fëmijët e saj dhe vjehrrin i cili është me aftësi të kufizuara, ajo lufton për ta mbajtur gjallë familjen. Punon me koshere bletësh që dikur e menaxhonte i shoqi i saj, duke shitur kavanoza me mjaltë në një treg lokal.

Shitjet janë modeste dhe nganjëherë pothuajse inekzistente, mirëpo bletët janë mjeti i saj i vetëm për t’i mbijetuar një jete të varfër. Herë pas here, ajo takohet me kolektivin e grave, anëtarët e të cilit përballen me të njëjtat pengesa nën vëzhgimin e sikletshëm të burrave të qytetit. Dhe ajo vazhdon kërkimin për të shoqin – një fantazmë shqetësuese.

Një histori çlirimi e treguar me natyralizëm të lehtë dhe me goditje të gjera politike, “Zgjoi” ndjek Fahrijen në rrugën e saj drejt pavarësisë. (Është i bazuar në përvojat e një gruaje shqiptare nga Kosova me të njëjtin emër.) Ashtu sikurse protagonisti i tij, filmi është i ashpër, i drejtpërdrejtë dhe i vëmendshëm ndaj jetës së zakonshme. Regjisorja Blerta Basholli nuk ju godet me mjerimin e personazhit dhe as nuk j’u mban peng me emocione.

Fahrija nuk është miqësore; rrallëherë ajo është miqësore, që do të thotë se ajo është më shumë një qenie njerëzore sesa një emblemë e vuajtjes së virtytshme. Ajo ka hijeshitë e saj, megjithëse këto priren të dalin në intimitetin që ajo e ndan me familjen dhe miqtë e saj, të tillë si Naza (pikantja Kumrije Hoxha).

Me burrin e saj, me gjasë i vdekur, por i pavarrosur në varreza, Fahrije është mbërthyer në një harresë mizore, një status i pasigurt që ndajnë të tjerët në kolektiv. Traditat mbizotëruese nënkuptojnë se këtyre grave nuk u lejohet të rimartohen dhe nuk u lejohet të bëjnë asgjë tjetër, përveç kujdesit për familjet e tyre, të shoqërohen me vejusha të tjera të supozuara dhe të shfaqin nënshtrim ndaj burrave.

Edhe përpjekjet më pak armiqësore  në dukje të Fahrijes për ta mbështetur familjen e saj – shitja e tavolinës së sharrës së vjetër të burrit të saj, trajtohen si fyerje skandaloze ndaj tij, jetës dhe botës së tyre. Ajo ndjehet e turpëruar në shtëpi dhe në publik, e ngacmuar dhe e demoralizuar, thjesht sepse është futur në rolin e furnizuesit.

Basholli nuk i rikthehet Luftës së Kosovës në detaje dokumentare apo nuk gërmon në sfondin e saj gjeopolitik; ajo gjithashtu nuk hedh dritë mbi praktikat kulturore dhe sociale që e kufizojnë aq ashpër jetën e këtyre të vejave. Ajo nuk shpreh interesim as për politikën partiake, as nuk ekspozohet në aspektin patriotik.

Përkundrazi, ajo fokusohet në cilësinë, gjestet dhe praktikat e jetës së përditshme, duke u ndalur në mënyrën se si Fahrije kujdeset për kosheret, përpiqet ta rregullojë një rubinet që pikon ujë, lan të birin, ushqen familjen e saj dhe përpunon me kujdes ajvarin, një salcë speci djegës që ajo e gatuan, e fut në shishe dhe shpreson ta shesë. Megjithatë, duke u fokusuar në këtë grua, Basholli na ofron një argument se cilat lloje të historive të luftës ia vlen të tregohen.

Nuk ka dyshim se cili është synimi i Fahrijes, dhe filmi ndonjëherë përpiqet paksa shumë për ta qartësuar synimin e saj të vështirë. Megjithatë, “Zgjoi” kap dhe mban interesin tuaj thjesht përmes dramës së krijuar nga personazhe simpatikë që përpiqen të tejkalojnë pengesa të tmerrshme dhe të padrejta. Megjithatë, kryesisht, ajo që të rrëmben është performanca e fuqishme, kryesisht fizike e Gashit, e cila artikulon në mënyrë lirike funksionimin e brendshëm të personazhit të saj të heshtur.

Së bashku, interpretuesja dhe regjisori i saj zbulojnë harkun e jetës përmes gjesteve të Fahrijes dhe në vijat erënda të nofullës së saj, në buzët e saj të pabuzëqeshura si dhe në vështrimin e saj. Dhe, ndërkohë që stoicizmi i personazhit duket si një mur i pathyeshëm, këto dy gra e çmontojnë – dhe e rindërtojnë atë – me një efekt energjik.