Foto: KALLXO.com

Nevoja që gazetarët e Kosovës të pajisen me mjete mbrojtëse

Legjislacioni burokratik, mundësitë financiare, qasja e limituar në edukim, i kanë vendosur gazetarët e Kosovës në rrezik për jetën.

Kosova është në mesin e vendeve ku gazetarëve nuk u lejohet të kenë në posedim mjete mbrojtëse si antiplumbët, helmetat apo maskat kundër gazit.

Ligji për Armët ka mundësuar që këto pajisje të jenë të lejuara vetëm për forcat e rendit dhe për kompanitë e specializuara të sigurimit fizik ndërsa sipas Ligjit gazetarët nuk hyjnë në këto kategori edhe pse është konstatuar se në raste ata janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të tilla.

Në situatë të tillë gazetarët nuk mund të blejnë pajisje mbrojtëse pasi nuk e kanë të drejtën që të jenë përdoruesit e fundit të pajisjeve të tilla që shiten me leje speciale.

Me Ligjin për Armë në Kosovë është përcaktuar e drejta e blerjes, posedimit të helmetave balistike, jelekëve antiplumbë apo maskave të gazit lotsjellës.

Si organ kompetent për lëshimin e pëlqimit, licencës, për këto mjete më këtë Ligj është përcaktuar Ministria e Punëve të Brendshme. Pa një leje nga kjo Ministri askush nuk guxon të blejë apo bartë pajisje të tilla.

Drejtori i Departamentit për Siguri Publike, Mensur Hoti, konfirmon se me legjislacion gazetarët nuk lejohen të kenë pajisje të tilla ndërsa kanë nisur diskutimet që me amandamentimin e Ligjit të krijojnë hapësirën që gazetarët të pajisen me mjete mbrojtëse. 

“E mirëkuptojmë edhe shqetësimin edhe kërkesën. Çka mund të ju them është se periudha është adekuate të diskutohet tani pasi kemi një proces të ndryshimit të Ligjit për Armë dhe është një procedurë e konvenueshme të diskutohet kjo çështje. Kjo mbetet të diskutohet tutje për kërkesën si paraqitet, grupi punues dhe mekanizma tjerë çka mund të sjellë ky proces” – thotë Hoti.

Zona e rrezikshme

Protestat e dhunshme, incidentet e sulmet ndaj gazetarëve janë raste jo të rralla që po ndodhin në rajon.

Kjo sidomos pas tensioneve në veri të vendit, ku gazetarët kanë rrezikuar të sulmohet fizikisht me rastin e raportimit nga vendi i ngjarjes.

Në këto zona që janë të rrezikshmërisë së lartë ka edhe gazetarë me një përvojë jo shumë të madhe për t’u ballafaquar me situata të tilla.

Mungesa e trajnimeve që ngërthen mungesë të informacionit për raportim të sigurt të gazetarëve, nga ekspertët po vlerësohet si faktor qe po ndikon në cenimin e integritetit fizik të gazetarëve.

Të gjitha këto problematika, sipas ekspertëve, po dërgojnë te nevoja e domosdoshme që gazetarërt të pajisen me mjete mbrojtëse gjatë raportimit.

Në raportimet e gazetarëve e kamermanëve nga protestat e ngjarjet në veri të vendit, zonë kjo që konsiderohet si e rrezikshme për raportim, ka pasur raste që gazetarët janë sulmuar nga protestuesit në këto ngjarje.

Për të parë këndvështrimin e tyre lidhur me rrezikshmërinë që paraqittet gjatë raportimit janë intervistuar dy gazetarë që janë sulmuar në raportim.

Erand Hyseni, kameraman i një media, kishte qene i pranishëm në një raportim në veri të Kosovës dhe kishte përfunduar i lënduar nga ky aksion.

“Kemi marrë pjesë në një aksion në veri të Kosovës, kur e kemi kapërcyer Lagjen e Boshnjakëve për të hyrë në territor ku fillon Shkolla Teknike, aty e kam parë një grup prej pjesës se lartë diku 18 ose 19 persona, edhe unë nuk është që kam lëvizur, sepse sa më shumë ik prej tyre me keq është, jam terhequr ndoshta 2-3 hapa mbrapa, edhe kam vazhduar prapë xhirimin me kamerë” – tha Hyseni duke rrëfyer për momentet e ngjarjes në veri të Kosovës.

Hyseni vazhdoi duke treguar që sulmuesin e ka pasur të xhiruar në kamerë dhe se ka vazhduar të kryejë punën e tij për të cilën ishte atje. Personi në fjalë e ka sulmuar në shpinë.

“Ai ka filluar të shante e kështu, prapë s’kam lëvizur, kur e kam parë që po vjen në drejtimin tim veç e kam bërë një kthim mbrapa, dhe aty më ka rënë shkelm në shpinë“ – tha ai.

Lidhur me këtë rast, ai tha se është deklaruar në Polici, por më nuk është ftuar as nga prokuroria e as gjykata.

Hyseni tregoi se këto zona janë shumë të rrezikshme për raportim pa qenë të pajisur me mjete mbrojtëse, madje rreziku shkon deri në atë pikë që mund t’u rrezikohet edhe jeta.

“Është shumë e rrezikshme të shkosh në këto zona për të raportuar pa pajisje mbrojtëse, duke e pasur parasysh që televizionet e kanë konkurrencën shumë të lartë, dhe nganjëherë nuk brengosen për neve hiç për me marrë ekskluziven, neve na rrezikohet jeta” – tha ai.

Ai shtoi se është jashtëzakonisht e nevojshme të bëhen ndryshimet legjislative që atyre t’u mundësohet pajisja me mjete mbrojtëse.

Gazetari Taulant Qenaj kishte qenë cak i sulmit gjatë raportimit në veri të Kosovës në një aksion për luftimin e kontrabandës, aksion ky i Policisë dhe Doganës së Kosovës.

“Pasi ka përfunduar aksioni komplet disa të rinj serbë kanë barrikaduar rrugët, njëra prej rrugëve ka qenë edhe rruga në Rudar dhe unë bashkë me kameramanin Bujar Tërstena dhe një taksist jemi nisur të shkojmë për të xhiruar barrikadën. Në hyrje të Rudarit jemi takuar me ata njërz që kanë qenë në rrugë. Të njëjtit kanë tentuar të hyjnë në veturë në fakt e kanë hapur derën ku ka qenë kameramani ulur përpara dhe kanë tentuar ta marrin kamerën. Aii nuk e ka lëshuar kamerën por ata gjatë asaj përplasje e kanë këputur kamerën dhe kemi arritur të largohemi”.

Ai tha se përkundër që është denoncuar rasti nuk është ftuar as nga Prokuroria e as nga Gjykata.

Qenaj tha se është shumë e rrezikshme për raportim prej zonës së veriut pa qenë i pajisur me mjete mbrojtëse, duke shtuar se shumica e shtëpive mediale në Kosovë nuk kanë as vetura me logo të medies ku punojnë.

“Në të njëjtën kohë po mendoj që duhet të kemi mjete mbrojtëse, antiplumb, helmetë, për shkak se e di që në natën e 31 korrikut ka pasur rrezik në Jarinje pasi janë vendosur barrikadat ku e dimë që janë sulmuar edhe policë të Kosovës” – ka shtuar tutje.

Sipas Qenajt legjislacioni për këto mjete duhet ndërruar në atë masë që mediave t’u lejohet që t’i pajisin gazetarët dhe njerëzit e tjerë të mediave që dalin në terren me mjete mbrojtëse.

Ai po ashtu tha se ka edhe mungesë të trajnimeve nga AGK apo nga mediumet për gazetarët, sidomos gazetarët e rinj si të raportojnë prej zonave që ka kriza.

“Si me u mbrojtë, cila kish me qenë forma më e mirë për mbrojtje, por janë trajnime që mungojnë që një kohë të gjatë në Kosovë”

Leart Hoxha, kryeredaktor i ATV-së, thotë se në aspektin e sigurisë është i domosdoshëm ndryshimi i legjislacionit që u mundëson gazetarëve të akredituar të pajisjen me mjetë mbrojtëse.

Por, sipas tij, kjo çështje duhet rregulluar në mënyrë të detajuar, ku pajisjet mbrojtëse, përfshirë antiplumbët dhe helmetat duhet me pasë manual të saktë për të cilin tha se ka dilema a duhet lëshuar nga Policia e Kosovës apo shoqata e gazetarëve, apo ndonjë media veç e veç. 

Nevoja për ndryshime ligjore që mundësojnë pajisjen e gazetarëve me mjete mbrojtëse konstatohet edhe nga drejtori i Këshillit të Mediave të Shkruara, Imer Mushkolaj. Sipas tij, në vend është e domosdoshme të ketë ndryshime në legjislacion që mundëson pajisjet. 

Ndryshimet shihen të nevojshme edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Sipas Getoarbë Molliqajt, ndryshim i Ligjit do të shkonte në benefit të gazetarëve dhe do e lehtësonte punën. Këtë ajo e bazoi në të dhënat që Kosova është një nga vendet me rrezikshmërinë më të lartë për gazetarët. Në vendin e parë në rajon është Serbia, në vendin e dytë Bosnja, ndërsa Kosova në vendin e tretë.

Të dhënat e siguruara nga AGK lidhur me lëndimet e gazetarëve gjatë raportimit në protesta tregojnë se ndër vite ka pasur gazetarë që janë sulmuar gjatë kryerjes së punës së tyre.

Sipas të dhënave të AGK-së  në vitin 2014 gazetari Musa Mustafa ishte sulmuar fizikisht nga një person. Incidenti kishte ndodhur derisa gazetari ishte duke intervistuar një protestues.

Ndërsa në vitin 2017 gazetari Taulant Osmani, në të dhënat që figurojnë në AGK është kërcënuar, fyer dhe tentuar të sulmohet nga disa persona, teksa po ndiqte protestën e shoqërisë civile në Gjilan kundër zhvendosjes së shtatores së Luftës Nacional- Çlirimtare “Ushtarët e Ramë”.

Sipas AGK-së në vitin 2021 ka pasur tri raste te sulmeve ndaj gazetarëve. Fillimisht gazetarë të mediave shqiptare dhe atyre serbe ishin sulmuar në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut dhe në Leposaviq.

 Rasti tjetër është kur gazetarja e “Kanal 10”, Albulena Rexha përderisa ishte sulmuar me një mjet shpërthyes nga serbët lokalë gjatë raportimit live nga Mitrovica e Veriut, si dhe rasti i sulmit kur ekipi i Radio Evropa e Lirë, ishte sulmuar gjithashtu nga protestuesit lokalë në veri të Kosovës.

Sipas AGK-së ekipi ishte rrethuar nga 50 persona, të cilët kishin kërkuar që të mos xhirohen.

Këto raste të shumta të sulmit ndaj gazetarëve tregojnë domosdonë që gazetarët të pajisen me mjete mbrojtëse, duke pasur parasysh rrezikshmërinë me të cilën po përballen gjatë raportimit.

Shtuar këtu që të dhënat nga raportet që i posedon AGK-ja, Kosova është një ndër shtetet në Ballkan me rrezikshmëri të lartë për raportim.

Ekspert ligjor: Vyrtyte Gërvalla

Shkrimi: Behar Mustafa

Redaktimi:Kastriot Berisha

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Bashkimit Evropian.