Ilustrim

Nevoja për rritjen e numrit të pajisjeve të teknologjisë informative në gjimnazin "Hivzi Sylejmani" në Fushë Kosovë

Pandemia ka vendosur para një akti të kryer përdorimin e pajisjeve teknologjike prej të gjithë mësimdhënësve, edhe nëse ata në të kaluarën nuk kanë qenë të familjarizuar me përdorimin e tyre. Rritja e numrit të pajisjeve teknologjike nëpër shkolla tashmë është një synim, në mënyrë që të jenë në trend me zhvillimet e fundit, si në fushën teknologjike edhe në atë arsimore.

Gjimnazi “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë ka dy kabinete të informatikës, një sallë të inovacionit, të cilat janë të pajisura me projektorë dhe me ndonjë lap-top.

Drejtori i gjimnazit “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë, Amir Pllana ka thënë se shkolla ka nevojë për rritjen e numrit të pajisjeve të teknologjisë informative për të qenë në hap me trendin e zhvillimit botëror.

“Sepse trendi i zhvillimit dhe dinamika e shkencës është duke shkuar kah teknologjia dhe ne si shkollë duhet të jemi në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Pandemia konsiderohet si pozitive në aspektin e përdorimit të teknologjisë nëpër shkolla nga ana e nxënësve dhe mësimdhënësve.

“Deshëm ose nuk deshëm, ne me stafin jemi ballafaquar me teknologjinë, dikush është më i avancuar e dikush më pak por megjithatë teknologjia është futur në botën tonë në vitin që shkoi”, ka treguar drejtori Pllana.

Problematike ai e sheh mirëmbajtjen e pajisjeve teknologjike në shkollë për shkak se nuk kanë zyrtar të veçantë për mirëmbajtje.

“Mirëmbajtja e pajisjeve është pak problematike sepse nuk kemi IT për mirëmbajtje por e shfrytëzojmë ndonjëherë edhe IT-në nga niveli komunal edhe mësimdhënësit që i kemi në shkollë, ndonjëherë edhe nxënësit”, ka thënë Pllana.

Këtë vit, gjimnazi “Hivzi Sylejmani” është furnizuar me një tabelë të mençur, të cilën drejtori ka thënë se e konsideron si shumë të rëndësishme për zhvillimin e orëve mësimore.

“Unë po e shoh që në grupet e klasave kur po hyjnë aty në prezantimet e orëve, orën po e shoh shumë atraktive dhe shumë të këndshme për nxënësit”, ka përfunduar drejtori Pllana.

Autorja Riola Krasniqi është nxënëse e gjimnazit “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë.