MEDIA-PRESS

Foto: Shqipron Halimi

Nevoja për rritjen e cilësisë në hetimin e sulmeve ndaj gazetarëve 

Një hulumtim i BIRN i publikuar së fundmi për sigurinë dhe ndëshkimet e krimeve ndaj gazetarëve ka ngjallur reagime tek sistemi i drejtësisë.

BIRN publikoi të dhëna të cilat shpërfaqin se në rastet e dënimeve të sulmeve ndaj gazetarëve gjyqtarët nuk kanë shqiptuar dënime maksimale për kryerësit ndërsa kanë përdorur zbrazëtira ligjore për të arsyetuar dënimet e ulëta.

BIRN kishte matur aktgjykimet dhe ka gjetur se gjykatat kanë konstatuar kryesisht rrethana lehtësuese në këto raste.

Prokurorja Lumturije Vuçetaj nga Prokuroria e Pejës  thotë se përpos prioritizimit rastet tani duhet edhe të provohen rrethana rënduese për këto krime.

“Nuk e kemi has ndonjë problematikë në kuadër të prokurorisë për trajtimin e këtyre rasteve, këto raste i trajtojmë me prioritet në përputhshmëri edhe me udhëzuesit e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit” tha Vuçetaj.

Prokurorja shtoi se kohëzgjatja maksimale e hetimit të këtyre rasteve për trajtim në prokurori është 6 muaj nëse rasti është më i komplikuar.

Të dhënat e publikuara nga BIRN tregonin edhe për probleme në kohëzgjatjen e hetimeve.

Në prokurorinë e Prishtinës janë të grumbulluara disa dosje të cilat ende nuk kanë marrë trajtim.

Bashkim Zeqaj, Prokurori Koordinator i këtyre rasteve për KALLXO.com ka treguar se gjatë vitit 2021-2022 kjo prokurori ka regjistruar 24 raste ku të dëmtuar janë gazetarët.

“Gjatë kësaj periudhe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur 11 aktakuza ku të dëmtuar janë gazetarë, për 4 raste ka marrë aktvendim për hudhje të kallëzimit penal, ndërsa rastet e tjera janë në proces” thotë prokurori Zeqaj.

Sipas prokurorisë së Prishtinës sfidë në trajtimin e këtyre rasteve nga ana e prokurorëve të kësaj prokurorie paraqitet në rastet e kanosjes të cilat po bëhen përmes profileve të rrejshme në rrjetet sociale, pra hasen vështirësi në zbulimin dhe ndjekjen penale të kryerësve në rastet e tilla.

BIRN me rastin e analizimit të dosjeve që na janë dërguar nga gjykatat e Kosovës verën shpërputhje të numrit të dosjeve që prokuroria i potencon që i ka dërguar në Gjykata, dhe aktgjykimeve të nxjerra nga gjykatat.

Kjo pasi sipas raportit statistikor të zyrës se kryeprokurorit të shtetit shihen që numri i aktakuzave të ngritura për periudhën kohore që BIRN ka kërkuar, është më i lartë se sa aktgjykimet që gjykata i ka evidentuar.

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Bashkimit Evropian.