Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Neuropsikiatri Blyta: Nuk mund të sigurohet vaksina nëpërmjet e-mailit

Neuropsikiatri i njohur kosovar, Afrim Blyta, ka thënë se politika duhet të bëjë më tepër për t’i siguruar vaksinat anti-COVID.

Në një intervistë për “Kallxo Përnime”, ai tha se komunikimi me shtetet perëndimore dhe evropiane duhet të bëhet në katër sy e jo përmes letrave në distancë.

Sipas tij, vaksinat nuk mund të sigurohen përmes e-mail-eve.

“Unë mendoj që, meqenëse jemi këta që jemi, e jemi prodhim asaj që quhet perëndim, i qasaj Amerike të madhe e kësaj Evrope e na kanë njëfarë borxhi për arsye se ata na kanë bë me shku me trokitë në derën e tyre e më thënë, hej ne jemi në zor të madh. Po ti nuk mundesh me siguru vaksinën nëpërmjet e-mailit, kjo është gjendja më qesharake që ekziston për mendimin tim, por duhet me e pa me komuniku fytyrë më fytyrë me atë që vendos atje”, tha Blyta.

“ShBA-të po i vaksinojnë 3 milionë njerëz për një ditë, ne 1 milion e gjysmë jemi, është çështje e iniciativës që duhet me marrë dikush. Unë nuk jam në vendimmarrje, nuk jam politikan po kisha me shku atje, kisha me trokitë në derën e secilit edhe në Britani të Madhe e në Izrael”, deklaroi ai.

“Komunikimi duhet me u bë personal, nuk ka letër që mund ta zëvendësojë komunikimin personal”, tha neuropsikiatri Afrim Blyta.