Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Netanyahut i arrestohet këshilltari për nxjerrje të sekreteve për Gazën
Policia izraelite ka arrestuar një këshilltar shumë të lartë të kryeministrit Benjamin Netanyahu, nën dyshimin për publikimin e informacioneve sekrete për mediat e huaja, ka raportuar më 04.11.2024 televizioni amerikan CNN.
Liderët e opozitës kanë thënë se informacioni i inteligjencës ishte “i rremë” dhe pjesë e mashtrimit për të penguar arritjen e ujdisë për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh në Gazë.
Hetimi është drejtuar në dyshimet se zyra e kryeministrit të vendit kishte ndarë për mediat e huaja informacionin se “Hamasi” planifikonte t’i trafikonte pengjet nga Gaza matanë kufirit me Egjiptin dhe të krijonte ndasi në shoqërinë izraelite për t’i bërë presion Netanyahut që të arrinte marrëveshje armëpushimi dhe lirimi të pengjeve.
Eliezer Feldstein, i cili është përmendur me emër nga politikanë opozitarë si këshilltar i Netanyahut, është në mesin e shumë personave që po merren në pyetje për rrjedhjen e “informacioneve inteligjente të ndjeshme dhe të klasifikuara”, thuhet sipas dokumenteve të gjykatës.
Një vendim gjykate publikuar të dielën bënte të ditur se kjo mund të ketë shkaktuar dëm në aftësinë e Izraelit për të liruar pengjet që po mbahen nga “Hamasi” në Gazë.
Televizioni CNN ka provuar të marrë një koment prej Feldsteinit.
Një zëdhënës i Netanyahut ka mohuar se ka pasur rrjedhje informatash nga zyra e kryeministrit të Izraelit dhe se “personi në fjalë asnjëherë nuk ka marrë pjesë në diskutime të lidhura me sigurinë”, qartazi duke iu referuar Feldsteinit.
Qeveria izraelite i ka hedhur poshtë edhe pretendimet se informacionet e rrjedhura mund të kenë ndikuar në negociatat me “Hamasin”, duke i quajtur “qesharake”.
Përgatiti: Rexhep Maloku, Kallxo.com