Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu. FOTO: Screenshot/Benjamin Netanyahu/Facebook.

Netanyahu e shkarkon ministrin e Mbrojtjes

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka shkarkuar më 05.11.2024 ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke theksuar se ka “një krizë besimi” ndërmjet tyre, ka raportuar BBC. Lideri izraelit ka thënë se mirëbesimi ishte “gërryer” muajve të fundit.

Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, do ta zëvendësojë Gallantin, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Netanyahu ka thënë se muajve të fundit ka pasur “boshllëqe të mëdha ndërmjet meje dhe Gallantit në mënyrën e menaxhimit të fushatës” së sulmeve dhe aksioneve kundër Hamasit dhe luftës së Izraelit kundër Hezbollahut në Liban.

“Këto boshllëqe janë shoqëruar me deklarata dhe veprime që vënë në kundërthënie Qeverinë dhe vendimet e kabinetit” – ka shtuar ai.

Gallant ka postuar një mesazh të shkurtër në X, duke theksuar se siguria e Izraelit “është dhe do të mbetet gjithnjë misioni i jetës time”.

Katz do të bëhet shef i ri i Mbrojtjes, derisa Gideon Sa’ar do ta marrë timonin e diplomacisë izraelite, ka njoftuar Netanyahu.

Dyshja ka pasur raporte të acaruara shpesh. Netanyahu e kishte shkarkuar Gallantin edhe në marsin e vitit të kaluar pas mosmarrëveshjeve për planet kundërthënëse për ta ndryshuar rrënjësisht sistemin e drejtësisë.

Por ishte detyruar ta tërhiqte vendimin për shkarkim pas protestave të mëdha publike në qytetet izraelite. Në maj, Gallant kishte shprehur haptas pakënaqësinë e tij për mungesën e planit për mënyrën e funksionimit të Gazës pas përfundimit të luftës.

Kjo ishte një shenjë e rrallë e ndasive brenda kabinetit izraelit të luftës lidhur me mënyrën e udhëheqjes së fushatës ushtarake./BBC

Përgatiti: Rexhep Maloku / Kallxo.com