Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu

Netanyahu do t'i kërkojë parlamentit imunitet nga ndjekja penale

 

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi zyrtarisht se do t’i kërkojë parlamentit imunitet nga ndjekja penale në tre raste të korrupsionit, raporton AFP.

Duke mbrojtur vendimin e tij, ai tha se planifikon të udhëheqë vendin edhe për shumë vite të tjera.

Netanyahu shpjegoi se do t’i bëjë kërkesën zyrtare kryetarit të parlamentit, Julius Edelstein.

Si rezultat i ndryshimit të një ligji, deputetët në parlamentin izraelit nuk kanë imunitet të garantuar nga ndjekja penale, por duhet të kërkojnë nga ligjvënësit tjerë që të vendosin për këtë në seancë plenare.

Në momentin që Netanyahu paraqet kërkesën për imunitet, gjyqi kundër tij do të ndalet, deri në vendimin e parlamentit.

Në muajin nëntor të vitit 2019, Netanyahu, 70-vjeçar është akuzuar për shkelje të besimit dhe mashtrim në tre raste të korrupsionit.

Mediat izraelite thonë se këshilltarët e Netanyahu janë të shqetësuar sepse besojnë se publiku nuk e konsideron kërkesën një veprim popullor dhe mendojnë se mund të dëmtojë mundësitë për të fituar zgjedhjet.

Parlamenti izraelit mund të votojë për kërkesën, pas zgjedhjeve.

Izraeli do të mbajë në muajin mars zgjedhjet parlamentare. Këto janë zgjedhjet e treta që mbahen brenda një viti, pasi asnjëri krah politik, nuk po arrinë ta formojë shumicën në parlament, për të formuar qeverinë.

Rivali politik i Netanyahut, udhëheqësi partisë së qendrës, Blu dhe Bardhë, Benny Ganz, tha në njoftimin e tij se Netanyahu e dinte se ishte fajtor. Ai e dënoi vendimin e kryeministrit, për të kërkuar imunitet nga parlamenti, shkruan REL.