Benjamin Netanyahu dhe Donald Trump - Foto: Benjamin Netanyahu/Facebook

Netanyahu dhe Trump pritet të takohen të martën në Uashington

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të takohet me presidentin amerikan Donald Trump në Uashington, të marten me 4 shkurt, konfirmoi Zyra e Kryeministrit izraelit, duke e bërë Netanyahun liderin e parë botëror që ka një takim zyrtar me Trump që nga inaugurimi i tij, njofton CNN.

Të dy udhëheqësit “do të diskutojnë Gazën, pengjet, sfidat e paraqitura nga të gjithë elementët e boshtit iranian dhe çështje të tjera kyçe”, tha të shtunën zyra e Netanyahut.

Në një shkëputje nga precedenti, Trump ftoi një numër liderësh botërorë në inaugurimin e tij më 20 janar, përfshirë kryeministren italiane Giorgia Meloni.

Por ai nuk ka mbajtur ende një takim zyrtar me një lider botëror që nga fillimi i mandatit të tij të dytë.

Konfirmimi i takimit vjen disa orë pas raundit të fundit të lirimeve të pengjeve dhe të burgosurve sipas marrëveshjes së armëpushimit Izrael-Hamas.

Një izraelito-amerikan dhe dy burra të tjerë izraelitë u liruan nga robëria në këmbim të lirimit të gati 200 të burgosurve palestinezë të shtunën.

Takimi vjen gjithashtu pasi Trump sugjeroi se plani i tij për Rripin e Gazës ishte të “pastronte” enklavën dhe të zhvendoste qindra mijëra palestinezë në vendet fqinje – një ide e refuzuar me vendosmëri në një deklaratë nga një grup kyç i kombeve arabe.