Seanca në rastin e njohur si "Veteranët"

Sot vendimi i gjykatës për aktakuzën lidhur me listat e veteranëve

Sot pritet të jepet aktgjykimi në  rastin e njohur si “Veteranët”.

Në këtë rast të akuzuar janë: ish- kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Aktakuza i ngarkon ata me keqpërdorim detyre, përkatësisht për ‘fryrje të listave’ të veteranëve.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në shtator të vitit 2018 kishte ngritur aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Këtë aktakuzë e përfaqësojnë dy prokurorët specialë Enver Krasniqi dhe Valdet Gashi.

Me 9 tetor, Gjykata e kishte kthyer aktakuzën mbrapa duke kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmirësimin e saj brenda 30 ditëve.

Aktakuza ishte kthyer me qëllim që të qartësohet se si e kanë kryer veprën penale të akuzuarit: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Gjykata po ashtu kishte kërkuar që të qartësohet edhe numri i  personave të cilët po pretendohet se po përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme, andaj është kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta sqarojë numrin e përfituesve se a janë 20.238 apo 15.115 persona që marrin pensione nga buxheti i Kosovës.

Në shqyrtimin fillestare të mbajture 14 mars 2019, përkundër kundërshtimit të të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre ishte vendos që të lexohet aktakuza.

Pas leximit të aktakuzës, të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm kundrejt aktakuzës e cila u vihet në barrë.

I akuzuari Agim Çeku  kishte deklaruar se: “Unë e kundërshtoj në tërësi aktakuzën dhe deklarohem tërësisht i pafajshëm.

Njëjtë ishte deklaruar edhe i akuzuari tjetër Nuredin Lushtaku.

“Për mua është e paqartë aktakuza ndaj meje. Unë jam i pafajshëm”, ishte deklarua i akuzuari Lushtaku.

Aktakuzën ndaj tij e kishte kundërshtuar edhe i akuzuari Sadik Halitjaga.

“E kundërshtoj aktakuzën në tërësi, jam i pafajshëm dhe ndjehem krenar për punën që kam bërë”, ishte shpreh i akuzuari Halitjaga.

I akuzuari tjetër, deputeti Shkumbin Demalijaj, e kishte quajtur aktakuzën të pabazë.

Këtë aktakuzë njëjtë e kishin kundërshtuar edhe të akuzuarit tjerë, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Pas kësaj në cilësi të dëshmitarit ishte dëgjuar edhe ish-kryeministrit Ramush Haradinaj i propozuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Demaliaj, avokati Arianit Koci.

Ramush Haradinaj kishte deklaruar se ka qenë kundër kategorizimit të luftëtarëve dhe sipas tij logjistika hyn në kategorinë e veteranëve.

Në dëshminë e tij, Haradinaj kishte thënë se nuk e dinte se kush e ka nënshkruar dokumentin final por se nuk mohoi faktin se i kishte nënshkruar disa dokumente lidhur me evidencat me luftëtarë të propozuara- sjella nga vartësit e tij, dhe se i vetmi aplikacion që ka plotësuar dhe nënshkruar ishte aplikacioni i tij personal.

“Nuk besoj se janë aplikacione, por dokumente me evidencë, me lista të personave. Si aplikacion, vetëm timin e kam nënshkruar. Deri në këtë fazë nuk bëjmë fjalë për aplikacione profesionale bazuar në ligj, por për lista- evidenca”, kishte thënë Haradinaj.

Ish-kryeministri Haradinaj kishte theksuar se në kohën kur ishte aprovuar ligji i dytë për veteranët e luftës, tha se kishte qenë në procese gjyqësore në Hagë në vitin 2011.

Ndërkaq në këtë proces gjyqësor ndaj Agim Çekut dhe 11 të akuzuarve të tjerë ishte shkelur parimi i publicitetit.

Kjo pasi gjyqtarja që udhëheq me rastin Nushe Kukaj- Mekaj, ua kishte ndaluar mediave të pranishme në sallën e gjyqit të publikojnë mbrojtjen e dhënë nga të akuzuarit me arsyetimin se të akuzuarit të mos jenë në dijeni lidhur me përgjigjet e të akuzuarve tjerë gjatë marrjes në pyetje.

Gjyqtarja Nushe Kukaj- Mekaj, vendimin e tillë e kishte dhënë vetëm verbalisht.

Por se çfarë deklaruar të akuzuarit në këtë proces gjyqësorë e kuptojmë tani pasi gjithë të akuzuarit tani më kanë dhënë mbrojtën e tyre.

I akuzuari i parë gjatë mbrojtës së tij Agim Çeku kishte thënë se kishte ardhur në krye të Komisionit për verifikimin e kategorive të dala nga lufta, pasi që ish-kryetari Azem Syla kishte dhënë dorëheqje.

Çeku kishte treguar se qëllimi që kishte pasur ky Komision, kishte qenë që të vihet deri te një numër i saktë i të gjithë kategorive të luftës. Fillimisht, Çeku ka thënë se kishin ardhur afër 80 mijë aplikacione nga persona që pretendonin se i takonin njërës nga kategorive të luftës.

“E pranoj që për mu edhe për anëtarët tjerë ky numër ka qenë i papritur se një numër kaq i madh mendojnë se e meritojnë një status të tillë. Këtu fillojnë vështirësitë dhe dilemat e mia si kryetar i Komisionit se si do të përmbyllim këtë proces shumë voluminoz”, kishte thënë Çeku.

I akuzuari tjetër në këtë rast, Shkumbin Demaliaj, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij ka thënë se në Komision kishte ardhur pasi që, ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, kishte qenë duke u përballur me procesin gjyqësor në Gjykatën e Hagës.

Duke sqaruar mënyrën se si kishte shkuar verifikimi, Demaliaj ka thënë se secili anëtarë kishin ndarë detyrat në bazë të zonës operative prej nga vinin dhe së bashku me zinxhirin komandues kishin verifikuar aplikacionet dhe në bazë të tyre ishte përcaktuar statusi i aplikantëve nga zinxhiri komandues.

I akuzuari tjetër në këtë rast, Sadik Halitjaha, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij në seancën e 14 tetorit 2020, ka deklaruar se Komisioni pjesë e të cilit kishte qenë, kishte vepruar në bazë të dy ligjeve që rregullonin këtë fushë dhe që asnjëri nuk e kishte abroguar njëri tjetrin. Vendimet në Komision, Halitjaha ka thënë se ishin marr me shumicë votash, edhe pse ndonjëherë nuk kishte votuar por vetëm ishte marr qëndrim nga Komisioni.

“Zhurma e mediave dhe analisteve ka bo që ky proces të shndërrohet në aferë. Unë dyshoj që prokurori Blakaj që dezertoi nga ky proces ka pas një qëllim të azilit apo i shtym nga dikush tjetër, unë nuk e di. Nuk e di qe ka pas kërcenim dikush”, kishte thënë Halitjaha.

Ndërsa të akuzuarit, Nuredin Lushtaku, Qelë Gashi, Smajl Elezaj, Xhavit Jashari dhe Fadil Shurdhaj, ishin mbrojtur në heshtje.

Kurse në fjalën përfundimtare të dhënë me 14 janar, Prokuroria Speciale kishte kërkuar dënim për të gjithë të akuzuarit ndërsa mbrojtësit kanë kërkuar lirim nga akuza.

Prokurori Valdet Gashi, kishte thënë se këta të akuzuar ia kishin mundësuar personave të cilët nuk i kishin përmbushur kriteret statusin e veteranit të luftës, duke e dëmtuar Buxhetin të Kosovës.

“Do të thotë personat qe si kanë mbushur kriteret për statusin e veteranit këtë ia kanë mundësuar, të njëjti përmes këtij intervenimi kanë shkaktuar Buxhetin e Kosovës, që vazhdon edhe sot, për veç aspektit material veprimet e te pandehurit do të ndikoj negativisht edhe ne të ardhmen mësim ne tërësi pranë aktakuzës të ngritur kundër të pandehurve”, ka thënë Gashi.

Kurse i akuzuari Agim Çeku para gjykatës kishte deklaruar se ishte befasua nga fjala përfundimtare e prokurorit Valdet Gashi.

“U befasova shume nga fjala përfundimtare e prokurorit që duke dëgjua ata mu dok qe pe dëgjoj një njeri se fare nuk ka qene prezent ne asnjë seancë gjyqësore në këtë proces”, ka thënë Çeku.

Më pas i akuzuari Çeku  kishte shtuar se Prokuroria Speciale nuk ka bërë asnjë hetim në lidhje me listat e veteranëve.

Kurse i akuzuari Sadik Halitjaha në fjalën përfundimtare, kishte thënë se nga fillimi kjo aktakuzë është konstruktuar me qëllim të caktuar dhe sipas tij deri më tani kjo akuzë nuk ka provuar asnjë provë mbi të cilën është thirrur.

“Këtë akuzë një prokuror i cili u dashtë të jetë këtu nuk është, ua ka lanë “pataten e nxehtë në dorë”,ka thënë ai.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Demalilaj, avokati Arianit Koci e kishte kundërshtuar fjalën përfundimtare të prokurorit.

“Ky proces  ka nis me një hetim te mangët me një person i cili nuk i ka pasur njohuritë e duhura për çështje qe e heton, ka filluar ndaj një shtrese të cilës kjo shoqëri i ka borxh e ma së shumti i ka neglizhuar  dhe veteranët si kanë marrë as qeto që i takojnë”, kishte thënë avokati Koci.

Ndërkaq, i akuzuari Shkuri Buja kishte deklaruar se është viktimë e manipulimeve të shtetit.

“Jam i pafajshëm viktimë e manipulimeve shtetërore”, kishte thënë Buja.

Por edhe të akuzuarit tjerë në këtë rast kishin kërkuar aktgjykim lirues duke kundërshtuar fjalën përfundimtare të prokurorit Gashi.

Pas përfundimit të fjalës përfundimtare këtij procesi gjyqësore i erdhi edhe fundi, me ç’rast shpalljen e aktgjykimit Gjykata do ta bëjë ditën e nesërme me data 19 janar në ora 11.

Në shtator të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej  88,769,217.04 euro.