Nesër takimi Ahmeti-Zaev, drejt përpjekjeve të fundit për formimin e Qeverisë

 

Nesër është paralajmëruar takim mes kryetarit të socialdemokratëve, Zoran Zaev dhe të integristëve, Ali Ahmeti.

Është arritur progres serioz mes LSDM dhe BDI-së në lidhje me pothuajse të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me arritjen e marrëveshjes për formimin e Qeverisë.

Palët përmes kumtesës së përbashkët informojnë se vazhdojnë takimet e punës në mënyrë intensive me qëllim të arritjes së marrëveshjes për koalicion për Qeverinë e ardhshme.

“Duke pasur parasysh urgjencën dhe nevojën për të vënë shpejt në veprim institucionet kryesore në vend për të adresuar sfidat shëndetësore dhe ekonomike që lidhen me Covid-19, nesër do të mbahet një takim kryesor midis kryetarëve Ali Ahmeti dhe Zoran Zaev ku pritet një marrëveshje përfundimtare për një qeveri të re, të qëndrueshme, të përkushtuar me një mandat katër vjeçar. Duke pasur parasysh pritjet e qytetarëve për një marrëveshje të shpejtë përfundimtare, në ditët në vijim shpresojmë të vazhdojë seanca konstitutive për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në kumtesën e përbashkët, LSDM-BDI.

VMRO-DPMNE nuk dëshiron të komentojnë në lidhje me negociatat LSDM-BDI.

Nga atje thonë se lideri i socialdemokratëve, Zoran Zaev, me retorikën që e kishte para zgjedhjeve dhe që e sulmonte BDI-në, është e dukshme se gjurmonte që përsëri të fitojë vota nga elektorati shqiptar.

“Nuk ka nevojë që qytetarët tani të mësojnë se çfarë personi, politikani dhe sa i peshon fjala Zoran Zaevit, tashmë e kanë të qartë të gjithë për shkak se gjithçka që ka thënë në vitet e fundit ka gënjyer dhe për çdo gjë i ka mashtruar qytetarët. Kështu që,  Zoran Zaev me atë retorik që e përdorte para zgjedhjeve dhe që e sulmonte BDI-në, është e dukshme se gjurmonte që përsëri të marrë vota dhe të mashtrojë votuesit shqiptarë, elektoratin shqiptarë. Tani nga ai aspekt kur shohim se atij i nevojitet shumë që të shpëtojë vetveten për gjithë krimet që i ka bërë por edhe për gjithë skandalet korruptive, shohim se sa me dëshpërim lutë dhe është i gatshëm për çfarëdo shitje të interesave të qytetarëve vetëm e vetëm të bëjë koalicion dhe të shpëtojë veten për krimin që e ka bërë”, tha Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE-ja.

Nga DPMNE shtojnë se, sjellja e tillë e Zaevit nuk është risi për shkak se, siç thonë, gjithçka që ka thënë e ka tërhequr dhe se çdo premtim ka dalë gënjeshtër./TV21