Nesër shpallen rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e 14 shkurtit

Sonte pritet të mbyllet procesi i numërimit të votave ndërsa nesër pritet të dalin rezultatet përfundimtare.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Valmir Elezi tha se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë pothuajse në përfundim të numërimit të fletëvotimeve të ardhura nga jashtë Kosovës.

“Deri në orët e mbrëmjes, numërimi i fletëvotimeve jashtë Kosovës do të përmbyllet. Pas përfundimit të numërimit, Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve i duhen disa orë kohë për të kryer procedurat e parapara për të përmbyllur administrimin për rezultatin e zgjedhjeve”, tha Elezi.

Ai tha se rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët do të shpallen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e enjte, më 4 mars.

“Rezultatet përfundimtare, ndër tjerash, do të përfshijnë rezultatet për të gjitha subjektet politike dhe kandidatët pjesëmarrës në zgjedhje, dhe ato sipas vendvotimeve, qendrave të votimit, komunave dhe rezultatet e votave me kusht e atyre me postë”, tha Elezi.