Shkolla "Selami Hallaqi", Gjilan. FOTO-Facebook

Nesër rifillon mësimi në Kosovë, disa klasë do të mësojnë në shkollë e disa online

Pas një jave pushim pranveror, nxënësit e Kosovës nesër do të fillojnë mësimin.

Mësimi do të fillojë në dy forma: një pjesë e nxënësve do të mësojnë fizikisht në shkolla, e një pjesë do të mbajnë mësim nga distanca.

Kështu, klasa 1 deri 5 do të mbajnë mësim me prezencë në shkollë, kurse klasat 6 deri në 9 si dhe 10 deri në 12 do të mbajnë mësim online.

Fillimisht, Qeveria mori vendim që mësimi të jetë online për të gjitha nivelet, por një gjë e tillë ndryshoi pasi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërije Nagavci pati një takim online me drejtorët e arsimit të komunave të Kosovës, ditë më parë.

Pushimi pranveror ishte vendim i parë i ministres, Arbërie Nagavci, pasi që ish-ministri i Arsimit, Ramë Likaj kishte marrë një vendim që nxënësit e arsimit parauniversitar të mos mbajnë pushimin pranveror dhe të zëvendësojnë orët e humbura.

Perioda e dytë në shkollat e Kosovës ka filluar më 18 janar me planin e njëjtë siç kishte filluar perioda e parë.

Pra, me tre skenarë të cilët ishin përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Skenari A është për mësim me prani fizike në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.