Nesër rifillon dialogu Kosovë – Serbi, BE publikon agjendën

Bashkimi Evropian ka njoftuar se nesër me 12 korrik zyrtarisht do të rifillojë dialogu Kosovë – Serbi.

Sipas këtij njoftimi, ky do të jetë takimi i parë i nivelit të lartë të dialogut që nga viti 2018 dhe do të pasohet nga takimi i po ashtu nivelit të lartë në Bruksel me 16 korrik.

“Diskutimi të dielën do të pritet nga Brukseli nga Përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell dhe i shoqëruar nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq do të bashkohet nga distanca nga Beogradi dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nga Prishtina”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Sipas njoftimit, takimi është planifikuar të fillojë në ora 10:00 të mëngjesit dhe video do të transmetohet në Këshillin e BE-së dhe kanalet ‘EbS’.

Para fillimit të takimit, Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell do të jap një deklaratë të shkurtër për shtyp , ndërsa Lajçak do të përmbledhë diskutimet në një deklaratë-video në fund të takimit.