Nesër rifillojnë gërmimet në Kizhevak për mbetje mortore nga lufta

Më 5 maj do të rifillojnë gërmimet nga autoritetet kosovare në Kizhevak të Serbisë, për mbetje mortore të luftës së fundit në Kosovë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit.

Gara ka thënë se pjesë e gërmimeve do të jenë ekspertët mjekoligjorë nga Kosova, në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur.

“Po nesër rifillojnë gërmimet pas përmisimit të kushteve. Javën e kaluar kemi qenë vetëm në vizitë edhe tash e kemi pranuar atë njoftimin. Ekipet nesër do të vazhdojnë kërkimet në varrezën në Kizhevak”, ka thënë Gara.

Gara ka folur edhe për gërmimet e realizuara të premten e javës së kaluar në qytetin e Mitrovicës, përkatësisht në ‘lokacionin e varrezave të besimtarëve mysliman’, në afërsi të rrugës ‘Mitrovicë – Zvecan’.

Sipas Garës, këto janë në vazhdën e gërmimeve të realizuara gjatë viteve paraprake në atë lokacion, përfshirë edhe vitin e kaluar, ku nga katër gërmimet e realizuara janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të të paktën gjashtë viktimave të luftës.

“Të premten, pas vlerësimit të hapësirës së shenjuar, sipas ekspertëve mjekoligjor, nuk është hasur në ndonjë mbetje mortore me interes forensik, përkatësisht me eshtra të viktimave të luftës”, ka thënë Gara për KALLXO.com.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se nuk përjashtohet mundësia e rikthimit në atë lokacion. Sipas tij, në lokacione të tilla, në qytete të mëdha që janë përdorur nga forcat serbe për fshehje të viktimave, do të punohet dhe do të realizohen gërmime vlerësuese.