Protesta e grupit “Asnji cent ma shumë” kundër shtrenjtimit të mundshëm të rrymës

Nesër protestohet sërish kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

Grupi organizativ i protestës “Asnji cent ma shumë”, ka mbajtur konferencë për media lidhur me protestën që pritet të organizohet nesër.

Kjo nuk do të jetë protesta e parë e organizuar nga ana e “Grupit Protestoj”.

Ky grup edhe më herët kishte organizuar protestë me 26 janar.

Kjo protestë ishte paraparë të mbahej me 22 shkurt.

Liridona Sijarina nga “Grupi Protestoj” ftoi qytetarët në protestën e nesërme në ora 12:00 që nis nga sheshi “Zahir Pajazit”.

Dy kërkesat kryesore të protestës janë anulimi i vendimit të ZRrE-së për vendosjen e bllok-tarifës dhe nacionalizimi i KEDS-it.

Sijarina ka thënë se qeveria e Kosovës është rreshtuar në krah të KEDS-it.

“Vendimi i 9 shkurtit nuk duhet të lejohet, protesta jonë nuk ka agjendë partiake”, ka thënë ajo.

Tutje e njëjta ka shtuar se me vendimin e ZRrE-së të hyrat e lejuara maksimale brenda një viti për kompaninë private “KEDS” shkojnë në 447 milionë euro.

Sipas Sijarinës ky vendim përfundim e ka vetëm varfërinë e shtresave të ulëta ekonomike. Ajo ka thënë se kjo nuk do të tolerohet.

“Jemi ne ata që po e paguajmë këtë rritje e zhvatje të KEDS-it një herë përmes faturës e një herë prej parasë publike që menaxhohet nga Qeveria”, ka thënë Sijarina duke vazhduar se “Qeveria nuk po e bënë të qartë se ky 100 milionëshi është duke u paguar prej taksave tona”.