Nesër protestohet kundër punimeve në rrugën 'Nënë Tereza' në Gjakovë

rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë kanë filluar punimet dhe në njërin shirit të kësaj rruge është ndaluar qarkullimi i veturave. Ndërsa, kundër punimeve në këtë rrugë Inicativa Qytetare e Gjakovës ka paralajmëruar protesta.

Në grupin e hapur në Facebook “Kundër degradimit të rrugës Nënë Tereza”- qendra e qytetit, qytetari Shkamb Zajmi ka njoftuar qytetarët e Gjakovës, se nesër në orën 10:00, do të vazhdoj protesta kundër punimeve që kanë filluar për zgjerimin e kësaj rruge.

“Si Iniciativë Qytetare, përmes kësaj proteste kërkojmë që menjëherë Komuna e Gjakovës dhe kryetari Ardian Gjini të ndërpres punimet në qendër të Gjakovës, deri në publikimin e projektit, debatit me qytetarë dhe realizimin e procedurave ligjore”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se banorët, bizneset dhe qytetarët e Gjakovës presin përkrahje nga Organizatat e Shoqërisë Civile, biçiklistët, personat me nevoja të veçanta, ambientalistët, arkitektët, asamblistët e Kuvendit Komunal në Gjakovë dhe gjithë qytetarët e Komunës së Gjakovës.

Zajmi ka paralajmëruar që do të protestojnë me masa mbrojtëse, në distancë dhe në mënyrë të qetë.

Në maj të këtij viti, banorët e kësaj lagjeje kishin protestuar duke kundërshtuar ndërtimin e rrugës “Nënë Tereza”.

Sipas tyre, komuna synonte zgjerimin e rrugës për automjete, ngushtimin e trotuarit për këmbësorë dhe prerjen e pemëve.

Dhjetra qytetarë, përfshirë opozitën e disa përfaqësues të bizneseve në këtë rrugë, kishin thënë se ngushtimi i trotuarit rrezikon veprimtarinë e bizneseve.

Këto punime, mbrëmë, përmes një njoftimi i ka paralajmëruar edhe Komuna e Gjakovës.