Foto: Ilustrim

Nesër protestë për mbrojtjen e lumit Lepenc nga hidrocentrali

Banorët e fshatit Biti e Poshtme nesër në orën 11 do të protestojnë kundër hidrocentrali që pritet të ndërtohet përgjatë lumit Lepenc në Malin Sharr.

Përmes një njoftimi në Facebook këta banorë kanë njoftuar se ky ujë, i cili po planifikohet të futet në gypa mban në jetë mbi 100 hektarë mjedra dhe drithëra.

Po ashtu në njoftim ata kanë kujtuar edhe protestat e datës 8 tetor ku Njësia Speciale e Policisë së Kosovës përgjaki protestuesit, të cilët po mbronin të lashtat e tyre.

“Bashkohu edhe ti në protestën për mbrojtjen e Lepencit!  11 tetor 2019 , Ora 11:00,  Biti e Poshtme – Shtërpcë.  Ndërtimi i hidrocentralit H3 Viça, do të vendosë në gypa lumin Lepenc që kalon nëpër fshatin Biti e Poshtme të komunës së Shtërpcës. Banorët e këtij fshati, pa dallim moshe, gjinie dhe etnie, që nga viti 2015, në vazhdimësi e kanë kundërshtuar këtë përmes formave të ndryshme juridike, si dhe protestave të qeta në vendin e ngjarjes. Me datën 08 tetor 2019, protestat tona në mbrojtje të lumit dhe jetës tonë, u ballafaquan me një dhunë të tepërt nga njësiti special i policisë duke mos u kursyer as fëmijët e vegjël, as nënat me fëmijë në krah! Ky lumë do të thotë jetë për banorët e Bitisë së Poshtme. Uji mban mbi 100 hektar të mbjella me mjedra e drithëra. Pa të, nuk kemi të ardhme as ne e as fëmijët tanë! Thërrasim të gjithë qytetarët që ende besojnë në mirëqenie që të na mbështesin në mbrojtjen e njërit nga katër elementet esenciale për jetë: UJIN! Protesta jonë ka për qëllim mirëqenien e banorëve dhe mbrojtjen e mjedisit, i cili na takon të gjithë neve!”, thuhet në njoftimin e banorëve.

Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar ndaj dhunës që, sipas tyre, Policia e Kosovës ka ushtruar ndaj banorëve të fshatit Biti e Poshtme të Shtërpcës.

OJQ-të përmes reagimit kanë thënë se protestat janë e drejtë kushtetuese e çdo qytetari ashtu siç janë të drejta dhe demokratike edhe protestat e banorëve të Bitisë kundër ndërtimit të mini-hidrocentraleve përgjatë lumit Lepenc.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.