Protesta e nxënësve kundër ngacmimeve seksuale. Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.COM

Nesër protestë në Pejë kundër dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave

Aktivistet/ët e Pejës kanë njoftuar se nesër në këtë qytet do të organizohet protestë kundër dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave.

Sipas një njoftimi për media, protesta do të organizuar në ora 12:00 në Korzën e Qytetit.

“Këtë të hënë, duke filluar nga ora 12:00, në korzën e qytetit në Pejë, protestojmë kundër ngacmimeve seksuale dhe përdhunimeve dhe kundër heshtjes institucionale. Vetëm gjatë javës që shkoi 18 vajza e gra raportuan se kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës seksuale e ngacmimeve në Kosovë. Ne e dijmë shumë mirë që ngacmimi seksual, sulmet seksuale e përdhunimet janë duke iu ndodhur vajzave e grave çdo kund, qoftë në shkolla, institucione publike e private. Andaj dhe do të ngritemi në protestë, për t’i bërë ballë këtij fenomeni shqetësues dhe për të kërkuar përgjegjësi institucionale e siguri për vajzat dhe gratë. Të protestojmë dhe të rezistojmë deri sa drejtësia për vajzat dhe gratë të vihet në vend dhe ato të jetojnë pa frikë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Që nga data 15 maj e deri më 22 maj, në Policinë e Kosovës janë raportuar 10 raste të ndryshme të abuzimit, ngacmimit, sulmit dhe dhunimit seksual, e ku përfshihen 18 gra e vajza. Ende më të rëndë situatën e bën fakti se raste të shpeshta janë edhe sulmet e dhunimet seksuale ndaj personave të mitur.

Sipas Policisë së Kosovës, nga këto raste të raportuara, deri më tash janë të arrestuar 7 persona.

Inkurajuese, për një javë 18 gra i raportuan ngacmuesit seksual