Ilustrim
Nesër pritet të caktohen tarifat e reja të energjisë elektrike
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) më 16.04.2025 pritet të vendosë për tarifat e reja të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës.
Në mbledhjen e thirrur për në orën 08:30, në rend dite janë disa pika, përfshirë pikat për shqyrtimin e propozimeve për aprovimin e tarifave për KOSTT-in, KEDS-in dhe KESCO-n.
Në rend dite është edhe shqyrtimi i ankesave të konsumatorëve.
Caktimi i tarifave për 2025-2026 pritet pasi që më 11.04.2025 ZRRE vendosi që qytetarët e Kosovës të paguajnë rreth 16% më shtrenjtë energjinë elektrike të cilën e shpenzojnë.
Pak pas mbajtjes së mbledhjes, më 11.04.2025, ZRRE-ja njoftoi për përqindjen e shtrenjtimit të rrymës për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
“Kërkesa/propozimi fillestar i KESCO-s për të Hyrat e Lejuara Maksimale për FSHU ka qenë 447.626 mil€, ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 435.626 mil€, ku përfshihen Operatorët e licensuar OSSH dhe OST/OT. Rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale është rreth 16%.” – thuhet në komunikatën e ZRRE-së më 11.04.2025.
Vendimi u mor përderisa në Prishtinë shumë qytetarë iu bashkuan protestës kundër vendimit për shtrenjtim të rrymës.
