Nesër në rend dite në Kuvend votimi i propozim-rezolutës për adresimin e rritjes së çmimeve

Kuvendi i Kosovës nesër nga ora 10:00, do të vazhdojë punimet e seancës plenare me pikat e papërfunduara të seancave të kaluara.

Në rend të ditës, në seancën e parë janë disa pika, mes tjerash shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike, atij për Rregullimin e Çmimit të Produkteve Medicinale.

Gjithashtu, në vazhdimin tjetër të seancës, do të jetë edhe votimi i Propozim-rezolutës për adresimin e rritjes së çmimeve.

Javën e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar rezolutën për adresimin e rritjes së çmimeve dhe kanë thënë se përmes kësaj rezolute dhe hartimit të Ligjit për mbrojtjen e furnizimit të produkteve themelore, s’do të ketë fitime të mëdha për një grup të vogël të bizneseve.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ajo çfarë LVV po propozon është dhënia e mundësisë së vlerësimit real të shpenzimeve dhe çmimeve të produkteve të importuara dhe atyre të prodhuara në vend.

Kundër kësaj rezolute janë deklaruar partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK.

Pikat e seancave të nesërme të Kuvendit: 

  1. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/L174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-058 dhe ligjin nr. 04/L-122 si dhe Ligjin nr. 03/L-073 për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 03/L-256
  2. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-138 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-057 për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore,
  3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-135 për Rregullimin e Çmimit të Produkteve Medicinale,
  4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-144 për Shëndetësi,
  5. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2021.
  6. Votimi i Propozim-rezolutës për adresimin e rritjes së çmimeve,
  7. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021,
  8. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT Sh.a. për vitin 2021,
  9. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 12/84, datë 22 qershor 2022 për hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës,
  10. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 13/84, datë 22 qershor 2022 për hartimin e Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”,
  11. Ratifikimi i anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit,
  12. Debat parlamentar në lidhje me mos liberalizimin e vizave nga BE-ja për Kosovën.