Nesër në Ditën e Çlirimit të Skenderajt zbulohet skulptura e 7-vjeçarit të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë
Më 18.06.2024 do të përurohet skulptura e Leotrim Ahmetit, 7-vjeçarit të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura ka njoftuar se skulptura është bërë gati për “Ditën e Çlirimit”.
“Nga një lule për mirëseardhjen e Leotrimit, nesër në Ditën e Çlirimit!” – shkruan Nura në “Facebook” më 17.06.2024.
Zbulimi i shtatores është paraparë të mbahet në 13:30 në Oborrin e Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina” pranë sheshit “Adem Jashari” në Skenderaj.
Leotrim Ahmeti si 7-vjeçar vdiq më 11 shtator 1998 në spitalin ushtarak në Gradicë të Drenasit, ku edhe u varros. Tetë muaj pas vrasjes së Leutrimit, si luftëtar ra babai i tij Malush Ahmeti.
Skulptori Sadri Behramaj kishte a deklaruar se për punimin e kësaj skulpture u frymëzua nga intervista e Nusret Pllanës me nënën e 7-vjeçarit.
Më 09.03.2021 u publikua një reportazh nga televizioni publik, RTK, nga Nusret Pllana për masakrën e Rezallës, mes të intervistuarish ishte edhe Shukrie Ahmeti, nëna e Leutrim Ahmetit e cila rrëfeu momentin kur u plagos nga granata 7 vjeçari.
“Ka ra granata në oborr, djali i ka ra në bark. ‘Oj nanë edhe unë barkun e kam çky, më kanë dal zorrët’ tha djali. Thash ‘pse djali jem?’. Veç e çoj xhemperin… E kapa djalin, më tha ‘ma nanë se po më dhamin’, anë më anë i shqyer barku, i dolën përjashtë, veç i mbuloi djali” – ishte rrëfimi i Shukrie Ahmetit.
Intervistën e Shukrie Ahmetit mund ta dëgjoni këtu.
Më 5 qershor 2024, kryetari i Skenderajt kishte njoftuar se skulptura e Leutrimit do të vendoset në qendër të Skenderajt.
“Me njërën dorë mbi bark në përpjekje për të ndalur dhimbjet e shkaktuara nga plagët e luftës, dhe tjetrën mbi librin nga mësimet që u ndalen përgjithmonë, janë kujtim i pavdekësisë së Leotrimit – djali i heroit Malush Ahmeti, dhe thirrjes rrëqethëse drejtuar nënës së tij, pak para se shpirti i pastër e i pafajshëm të kalojë në amshueshmërinë dhe lavdinë e dëshmorëve të lirisë së Kosovës” – shkruante mes tjerash Nura.
Më 18 qershor mbushen 25 vite nga çlirimi i qytetit të Skenderajt nga forcat e armatosura serbe.
Më 12 qershor shënohet përvjetori i hyrjes së forcave e NATO-s në Kosovë, ndërsa bombardimet kundër Serbisë kishin nisur më 24 mars 1999. Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB). Pas bombave të hedhura nga forcat aleate për njëmbëdhjetë javë rresht, Serbia u detyrua t’i japë fund spastrimin etnik dhe t’i largojë forcat policore dhe ushtarake nga Kosova, duke mundësuar kështu kthimin e mbi 800 mijë refugjatëve kosovarë në vendlindje, përkohësisht të strehuar e të mirëpritur në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe në vende të ndryshme të botës.