Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nesër në Bruksel pritet të takohen Bislimi-Petkoviq

Nesër në Bruksel pritet të takohen shefi i ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për KALLXO.com, por pa dhënë detaje për temat që do të diskutohen.

Pjesë e këtij takimi do të jetë edhe Zëvendësndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.

Takimi në Bruksel vie pas deklaratave të cilat Bashkimi Evropain i ka pasur për ulje të tensioneve në veri të Kosovës, ku serbët po protestojnë tash e një javë për reciprocitetin për targat të vendosur nga Qeveria e Kosovës për automjetet nga Serbia.

Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, ka kërkuar që menjëherë të tërhiqen njësia speciale e Policisë së Kosovës në veri dhe të largohen bllokadat e krijuara në Jarinjë dhe Bërnjak.

Sipas tij, Serbia dhe Kosova duhet t’i ulin tensionet pasi “veprimet e njëanshme janë të papranueshme”.

“Unë vazhdoj ta ndjek nga afër situatën në veri të Kosovës. Serbia dhe Kosova duhet të de-përshkallëzojnë pa kushte situatën në terren, duke tërhequr menjëherë njësitë speciale të policisë dhe duke larguar bllokadat e krijuara. Çdo provokim i mëtejshëm ose veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme”, ka thënë Borrell