Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu - Foto: Ministria e Drejtësisë

Nesër Ministria e Drejtësisë anulon konkursin për noterë

Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar për nesër një konferencë të jashtëzakonshme.

Ndonëse Ministria nuk e ka bërë të ditur qëllimin e kësaj konference, KALLXO.com nga burime të sigurta merr vesh se në këtë konferencë do të jepet njoftimi për anulimin e konkursit për noterë.

Rekrutimi i noterëve të rinj është pezulluar për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në testin e noterisë.

KALLXO.com kishte raportuar se në mesin e kandidatëve që kishin kaluar testin me shkrim ishte edhe Gentiana Bajraktari, vjehrri i të cilës, Nehat Idrizi, kryetar i komisionit të Noterisë, i kishte përpiluar pyetjet.

Dyshime të forta për keqpërdorime në testin e noterisë

Për shkak të dyshimeve për parregullsi ishte kërkuar stopimi i procesit të emërimit të noterëve të rinj.

Thirrje në këtë drejtim kishte bërë edhe Zyra e BE-së në Kosovë, si dhe diplomatë të vendeve të ndryshme.

Lidhur me procesin e emërimit të noterëve ka pasur shumë reagime në publik lidhur me dyshimet se pati konflikt interesi gjatë procesit të përzgjedhjes së noterëve.

Madje ky proces u hetua edhe nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Pas hetimit, AKK ka dalur me një opinion se gjatë procesit të emërimit të noterëve është evituar konflikti i interesit.