Nesër mblidhet kryesia e LDK-së

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka njoftuar se nesër në 16:30 do të mbajë mbledhjen e Kryesisë.

Sipas njoftimit të LDK-së, pas mbledhjes kryetari Isa Mustafa do të mbajë konferencë për media.

Gjykata Kushtetuese të enjten pasdite nxori vendimin mbi kushtetutshmërinë e dekretit të presidentit Hashim Thaçi për nominimin e Avdullah Hotit për kryeministër të ri të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese në aktvendimin e saj ka shkruar se nuk ka gjetur asnjë shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit të vendit me vendimin për të dekretuar një kandidat që nuk është propozuar nga partia apo koalicioni fitues i zgjedhjeve.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese i hap rrugë krijimit të Qeverisë nga ana e Avdullah Hoti.

Në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, të arsyetuar përmes 36 pikave, në shumë prej tyre flitet për kompetencën e Presidentit për ta shpërndarë Kuvendin.

Në arsyetimin e 12-të të vendimin të Gjykatës Kushtetuese thuhet se në analizën e kushtetutave të tjera, Presidenti vendosë për ta shpërndarë Kuvendin vetëm kur të jenë shtjerrë mundësitë.

“Në të gjitha këto vende, vetëm atëherë kur të jenë shteruar të gjitha mundësitë kushtetuese për zgjedhjen e një Qeverie të re, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e parakohshme”, thuhet në mes tjerash në arsyetimin numër të 12 të Gjykatës Kushtetuese.

Në arsyetimin me numër rendor 8, të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, thuhet se mundësia që Presidenti e ka në kompetencat e veta për të shpërndarë Kuvendin, nuk mund të ushtrohet nga Presidenti në mënyrë të pavarur e as në kundërshtim me vullnetin e popullit.

“Mundësia e Presidentit për të shpërndarë Kuvendin, nuk mund të ushtrohet në mënyrë të pavarur e as në kundërshtim me vullnetin e Kuvendit, por duhet të ushtrohet në bashkërendim me vullnetin e shumicës së nevojshme të përfaqësuesve të popullit të përfaqësuar në Kuvend”, thuhet në mes tjerash në këtë arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin rreth dekretit të presidentit Thaçi për Avdullah Hotin

Mustafa: Gjykata ia mbajti anën Kushtetutës, jo Presidentit

Kurti: I papranueshëm vendimi i Gjykatës Kushtetuese