Nesër mbledhja e Këshillit Prokurorial, shqyrtohet edhe marrëveshja e propozuar nga kryeprokurori i suspenduar i Gjakovës, Ramiz Buzhala

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar se nesër nga ora 10:00 do të mabjë mbledhjen e radhës ndërsa gazetarët do të kenë mundësi që ta ndjekin këtë ngjarje vetëm përmes formës online.

Kjo duke u bazuar në masat mbrojtëse kundër COVID-19.

KALLXO.com mëson se në rendi i ditës përfshin 8 pika diskutimi dhe në mesin e tyre edhe rasti i kryeprokurorit të suspenduar, Ramiz Buzhala, i cili në komision disiplinor ka ofruar një marrëveshje për pranim të fajësisë dhe transferim në Prokurorinë e Prizrenit si prokuror në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Për skandalin e radhës të prokurorit Ramiz Buzhala KALLXO.com raportoi ditë më parë.

Dy muaj më parë sistemi prokurorial i Kosovës ishte goditur nga skandali ku kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala, i kishte dërguar pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë gazetares së KALLXO.com.

Dy muaj më vonë, KALLXO.com zbuloi planin që kryeprokurori i suspenduar të vazhdojë të jetë pjesë e sistemit bazuar në një marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Dosja të cilën KALLXO.com e zbardhi ditë më parë ekskluzivisht përmban marrëveshjen sipas të cilës Buzhala nga Gjakova do kthehet në punë në Pejë ose Prizren dhe atë në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Marrëveshja është arritur mes Buzhalës dhe panelit hetimor në të cilin bëjnë pjesë kryeprokurori i Apelit, Xhevdet Bislimi, Bogdan Spadijer prokuror dhe Bashkim Zeqaj po ashtu prokuror në Prishtinë.

Sipas Ligjit, marrëveshja mes shkelësit të pretenduar dhe panelit hetimor dorëzohet në Këshill për miratim.

Marrëveshja është dorëzuar dhe kjo është konfirmuar nga burime brenda KPK-së.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Ramiz Buzhala nuk ka pranuar të flasë.

Në anën tjetër, KALLXO.com sjell edhe listën e anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës të cilët nesër do të trajtojnë marrëveshjen e ofruar nga Buzhala.

Kryesues i KPK është Jetish Maloku, zëvëndëskryesues Veton Shabani, u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ndërsa anëtarët janë Agron Beka nga radhët e fakulteteve juridike, Ardian Hajdaraj, prokuror në Pejë, Ariana Shajkovci,prokurore në Prizren, Armend Zenelaj, prokuror në Gjakovë, Bedrije Syla- Alshiqi, prokurore në Apel, Jehona Grantolli, prokurore në Prishtinë, Jovo Radoviq, prokuror në Mitrovicë dhe Merita Bina Rugova, prokurore në Prokurorinë Speciale.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Gjakovës, Ramiz Buzhala, i cili gabimisht në numër të telefonit të gazetares së KALLXO.com, Adelina Ahmeti, kishte dërguar pyetjet e testit për bashkëpunëtor profesionalë, në marrëveshje thuhet se ka pranuar fajësinë.

Buzhala është suspenduar pas skandalit ku i dërgoi gazetares së KALLXO.com pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë të Prokurorisë.

Rasti i rrjedhjes së pyetjeve për konkursin për bashkëpunëtor profesionalë

“Ese aktakuza, Prokurori i Shtetit, Gjykata Kushtetuese”, kështu fillon një mesazh i cili i është dërguar ekipit të KALLXO.com në orën 11:25 të datës 13 korrik, dy muaj e gjysmë më parë.

Ky mesazh i dërguar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala, në numrin e gazetares së KALLXO.com, autores së këtij artikulli, vazhdon tutje me përmbajtjen: “Pyetje: vazhdimi i paraburgimit për të mitur, kush e zgjedh drejtorin e njësitit të performancës, dënimet plotësuese, procedurat alternative, dallimi lirim me kusht dhe dënimi me kusht, dallimi në mes të parashkrimit të ndjekjes dhe ekzekutimit të dënimit, qëllimi i masave të diversitetit, dorëzania”.

Kryeprokurori Buzhala i drejtohej dikujt se “këto janë pyetjet e testit me shkrim. Shiko shfrytëzoje kohën deri në orën 13:00”.

KALLXO.com mësoi atë kohë së pyetjet kanë qenë për testin me shkrim për bashkëpunëtor profesionalë, test i cili është mbajtur gjatë të njëjtës ditë kur janë dërguar pyetjet, brenda objektit të ish-Rilindjes, ku është edhe Ministria e Drejtësisë.

Kryeprokurori Buzhala pasi dërgoi pyetjet dhe udhëzimin se ka kohë deri në orën 13:00, tutje kishte vazhduar të thërrasë në telefon ndërsa kur përgjigjet ekipi i KALLXO.com, ai nis arsyetimin.

“Adelina, përshëndetje! Adelina… Adelina…! Ja gabim, gabim jem, Adelina gabim është diçka…”, nis bisedën kryeprokurori Buzhala, derisa nuk përgjigjet se nga kush i ka marrë këto pyetje?

“Po më fal ku keni dashtë me i dërgu këto pyetje, ku i ke adresu?” – pyetet nga gazetarja.

“Janë gabim, gabim janë, qe s`priton me i fshi…” – kërkon kryeprokurori Buzhala nga ekipi i KALLXO.com.

Në momentin që kryeprokurori Buzhala merr vesh se pyetjet janë dërguar në adresë të gazetares së KALLXO.com, ai kërkon sërish fshirjen e përmbajtjes së mesazhit me pyetjet për testin me shkrim për bashkëpunëtorë profesionalë.

Ai nuk pranon të japë përgjigje se kujt ia kishte adresuar këto pyetje, ndërsa vazhdon sërish të kërkojë që të fshihen ato.

KALLXO.com me të marrë vesh se ishte duke u mbajtur një test me shkrim për bashkëpunetorë profesionalë për disa prokurori, kishte shkuar në ndërtesën ku po mbahej testi me shkrim.

Gjatë asaj kohe sa ekipi qëndroi në ndërtesë, gjatë bisedave me disa nga të testuarit për pozitën e bashkëpunëtorit profesional, të njëjtit ia konfirmuan ekipit të KALLXO.com se pyetjet ishin të ngjashme sikurse ato që i kishte dërguar kryeprokurori Buzhala gazetares së KALLXO.com.

KALLXO.com ka tentuar me dhjetëra herë të kontaktojë sërish me kryeprokurorin Buzhala. Ai në asnjë moment nuk është përgjigjur, as në thirrje e as në mesazhet që i ka dërguar ekipi i KALLXO.com.

Në lidhje me rastin, KALLXO.com menjëherë ka kontaktuar edhe me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

I pyetur fillimisht, nëse aktualisht ka ndonjë konkurs për bashkëpunëtorë profesionalë, Kryeprokurori Kelmendi tha se e di që ka, por jo saktësisht.

KALLXO.com ka shkuar edhe një hap më tutje, ka tentuar sërish të telefonojë kryeprokurorin Buzhala por i njëjti kishte bllokuar numrin e gazetares së KALLXO.com.

Pas publikimit të hulumtimit nga KALLXO.com, Këshilli Prokurorial i Kosovës po atë ditë kishte anuluar konkursin për bashkëpunëtorë profesionalë.

Një ditë më vonë, më saktësisht më 14 korrik, Buzhala ishte suspenduar nga detyra e kryeprokurorit të Gjakovës.

Ndaj të njëjtit nisi edhe një procedurë disiplinore. Sipas informacioneve të KALLXO.com, Buzhala ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar që për rastin që kishte ndodhur të transferohej në një prokurori tjetër si prokuror.