Foto: Rtv21

Nesër Maqedonia e Veriut hap të gjitha pikat kufitare

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 69 solli vendim që duke filluar nga nesër, 17 qershor, të hapen të gjitha vendkalimet kufitare, duke respektuar masat në fuqi, me çka gjatë hyrjes është e patjetërsueshme të tregohet testi negativ PCR për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë, raporton TV21.

Po ashtu në fuqi mbetet edhe masa për nënshkrimin e deklaratës për izolim të detyrueshëm në periudhë 14 ditore, në bazë të së cilës Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor përgatit vendim për mbikëqyrje shëndetësore dhe izolim shtëpiak, të cilën e kontrollon Ministria e Punëve të Brendshme.

Në njoftimin e Qeverisë, po ashtu shkruhet se mbetet në fuqi masa për karantinë shtetërore në kohëzgjatje prej 14 ditësh për të gjithë shtetasit ose të huajt që kanë qëndrim të rregulluar në Maqedoninë e Veriut, të cilët gjatë hyrjes në territorin e vendit nuk kanë test valid PCR, raporton TV21.

Po ashtu mbetet mundësia që qytetarët që janë në karantinë shtetërore dhe që duan të testohen me test PCR, sipas kërkesës së tyre, e njëjta t’u mundësohet në afat sa më të shkurtër nga ana e autoriteteve kompetente.

Ata qytetarë që rezultojnë negativ në testin PCR, duhet të nënshkruajnë deklaratë për vetëizolim 14 ditor, e këtu llogariten edhe ditët e kaluara në karantinë shtetërore.

Kështu ata e lëshojnë karantinën shtetërore dhe shkojnë në vetëizolim të obligueshëm në atë adresë të cilën e japin gjatë firmosjes së deklaratës së vetëizolimit.

Qytetarët që nuk duan të bëjnë test PCR dhe mbeten në karantinë shtetërore 14 ditore, pas kësaj autoritetet përgjegjëse, Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor, u përgatit Vendim për mbikëqyrje shëndetësore dhe vetëizolim shtëpiak./21Media