Nesër jepet premiera e shfaqjes ‘Totem dhe Tabu’

“Artpolis”, Qendra për Art dhe Komunitet ka njoftuar përmes një njoftimi për media se nesër (e martë, 18 maj 2021) do të jepet premiera e shfaqjes, “Totem dhe Tabu”.

Premiera e kësaj shfaqjeje bëhet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 19:30.

“Totem dhe Tabu” është shfaqjes dans – teatër me koreografi të Robert Nuhës dhe dramatizim të Zana Hoxhës.

“’Totem dhe Tabu’ është tandem eksperimental i dansit kontemporan dhe tekstit minimal që mundëson reflektimin e audiencës lidhur me çështjet e ngritura të cilat ngërthejnë jetën e tyre dhe mentalitetin kosovar”, thuhet në njoftim.

Po sipas këtij njoftimi, shfaqja ngrehë pikëpyetje për situata dhe shqetësime të mëdha shoqërore, trauma, ndikimin e pandemisë dhe hipokrizinë shoqërore, por, siç vazhdohet më tej në njoftim pa arritur në konkludime dhe me qëllim që të prekë në thellësinë e përjetimeve, emocioneve dhe ngjarjeve të cilat vijnë në formë imazhesh dhe monologëve.

“Pyetjet, reflektimet, çështjet dhe temat që trajtohen mbeten të izoluara brenda ‘kornizave’ individuale dhe kolektive që janë tabu për shoqërinë apo nuk arrijnë të depërtojnë në diskursin publik”, thuhet në njoftim.

Pamje nga provat për shfaqjen ‘Totem dhe Tabu’. Foto: Robert Nuha