Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.COM

Nesër jepet premiera e baletit ‘Sisters’

Baleti Kombëtar i Kosovës shfaq nesër premierën e baletit, “Sisters”, me koreografi të Mehmet Balkan.

Për shkak të masave anti COVID-19, premiera do të shfaqet nga ora 16:30 dhe me numër të kufizuar të publikut.

Përmes një konference të mbajtur sot, koreografi dhe u.d. i drejtorit të BKK-së thanë se kanë bërë të gjitha përgatitjet për shfaqjen e nesërme.

Kreshnik Musolli, u.d. drejtor i BKK-së ka thënë se balerinët kanë dhënë maksimumin për përgatitje e shfaqjes, pavarësisht vështirësive që ka shkaktuar pandemia.

Ai ka thënë se premiera dhe repriza do të mbahet sipas rekomandimeve të institucioneve për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.

“Premiera do të jepet nesër, nga ora 16:30, në dispozicion të publiku janë vetëm 90 ulëse”, ka thënë ai.

Ndërkaq, koreografi Mehmet Balkan ka thënë se pavarësisht situatës së vështirësuar nga Coronavirusi, publiku do të shoh nesër një shfaqje të realizuar.

“Është e vështirë të punosh me maskë, por pavarësisht kësaj balerinët kanë bërë një përfomacën të mirë, gjë që besoj se këtë do ta shfaqim nesër para publikut”, ka thënë ndër të tjera Balkan.

Shfaqja “Sisters” jepet në kujtim të ish-drejtorit të BKK-së, Ahmet Brahimaj, ndërsa është premiera e dytë që BKK-ja realizon për këtë vit.

 

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.COM