Nesër Grupi Parlamentar i AAK-së mban mbledhje të jashtëzakonshme për taksën

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka planifikuar që të mbajë nesër një mbledhje të jashtëzakonshme.

Sipas një njoftimi për media, mbledhja do të mbahet në ora 14:00 dhe do të diskutohet rreth deklarimeve të kryeministrit të ri, Albin Kurti se do ta largojë taksën 100%, që ishte vendosur nga kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj dy vite më parë.

“Do të diskutohet rreth seancës që planifikohet të thirret në lidhje me paralajmërimin e kryeministrit Kurti për heqjen e taksës 100% për produktet qe vijnë nga Serbia dhe Bosnia&Herzegovina”, thuhet në njoftim.

Tutje po ashtu është bërë e ditur se do të disktohet edhe rreth disa paralajmërimeve të ministrit të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku.

“Njëherit, në mbledhjen e nesërme do të diskutohen edhe hapat e mëtutjeshme që do t’i ndërmerr Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas paralajmërimeve të ministrit Abdixhiku, për anulimin e dy projekteve kapitale, autostradën e Dukagjinit dhe atë të Anamoravës”, është thënë më tej.

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se në vend të ndërtimit të autostradës së Dukagjinit, kanë në plan vetëm zgjerimin e rrugës rajonale Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren.

Avdullah Hoti: Qeveria e ardhshme nuk do ta ndërtojë autostradën e Dukagjinit

Kurse, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se do ta largojë taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe do të vendos reciprocitet.