Një fëmijë duke marrë vaksinën kundër fruthit - Foto: REL/EPA

Nesër fillon vaksinimi masiv në Kosovë, krijohen 279 ekipe të vaksinimit në nivel vendi

Ministria e Shëndetësisë  ka njoftuar se nesër, 15 qershor, fillon vaksinimi masiv i qytetarëve.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje te qytetarët që të respektojnë orarin dhe në qendrat e vaksinimit të paraqiten vetëm ata që marrin thirrjen (njoftimin) për vaksinim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, sipas termineve të caktuara  përmes platformës eKosova.

Ministria e Shëndetësisë njofton po ashtu se në bashkëpunim me komunat, ka krijuar hapësira të reja për vaksinim; ka shtuar kapacitetet humane duke organizuar 279 ekipe të vaksinimit në nivel vendi; ka ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim që procesi i vaksinimit në masë të fillojë dhe qytetarët të vaksinohen sipas kategorive të përcaktuara në Planin Shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19 dhe kategorive të përcaktuara në tre fazat e këtij plani.

Aktualisht, sipas MSh-së janë duke u vaksinuar kategoria e personave mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje kronike, pa dallim moshe.

“Gjatë të gjitha fazave të vaksinimit, punonjësit shëndetësor e kanë pasur dhe e kanë të hapur mundësinë e vaksinimit; ndërsa krahas kategorive mbi 65 vjeç, deri tani janë vaksinuar edhe persona e hemodializës, personat me diabet, persona me sëmundje malinje si dhe persona me sëmundje të tjera kronike, pavarësisht moshës së tyre, gjithashtu”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ministria e Shëndetësisë, u bën thirrje edhe një herë qytetarëve që të ndjekin udhëzimet e Ministrisë rreth vaksinimit, të regjistrohen dhe të aplikojnë për vaksinim kundër COVID-19 në platformën eKosova, ku aplikimi është thjeshtëzuar dhe një person mund të regjistrojë deri në 5 persona të tjerë.

Po ashtu, kërkohet që pas marrjes së njoftimit për vaksinim, secili qytetar të vaksinohet në lokacionin, sipas vendbanimit të tij.