Nesër fillon faza e dytë e lehtësimit të masave, institucionet ende nuk janë deklaruar për orarin dhe udhëzimet për punë

Sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, nga nesër fillon faza e dytë e lehtësimit të masave dhe kthimit në normalitet pas masave kufizuese që ishin marrë si pasojë e pandemisë COVID-19.

Disa prej veprimtarive që do të hapen nga nesër do të jenë dentistët dhe fizioterapeutët, floktarët dhe sallonet e ondulimit, tregu i gjelbër dhe transporti hekurudhor, etj.

Edhe pse në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë është thënë që këto veprimtari do të hapen, por ende nuk janë deklaruar zyrtarisht se çfarë orari do të punojnë këto veprimtari ose çfarë udhëzimesh duhet të ndjekin për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Fizioterapeuti Gazmend Rexha ka thënë për KALLXO.com se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e punës.

Ai ka treguar se është bërë dezinfektimi i Klinikës dhe se do të bëhet pastrimi i ambientit dhe i duarve pas çdo pacienti.

“Ne si Klinikë kemi bërë dezinfektimin kemi vendosur gel me bazë alkoolit për dezinfektim të duarve për çdo pacient në hyrje dhe dalje, si dhe ju sigurojmë se pas çdo pacienti bëhet pastrimi i ambientit dhe shtretërve me dezinfektues, pastrimi i duarve pas çdo pacienti edhe përkundër vendosjes së dorezave”, ka thënë Rexha për KALLXO.com.

Po ashtu, ai ka thënë se do të sigurojnë e mbajtjen e distancës së pacientëve që do të trajtohen dhe se është reduktuar edhe numri i pacientëve që do të pranohen për trajtim.

Rexha ka rekomanduar që pacientët të mos shkojnë pacientët që kanë simptome të ftohjes dhe temperaturë.

“Nuk pranohen pacientët me simptome të ftohjes dhe temperaturë, pacientët të cilat vijnë të kenë maskë me vete dhe mundësisht pa shoqërues vetëm nëse është e domosdoshme”, ka përfunduar Rexha për KALLXO.com.

Më 4 maj ka filluar faza e parë e lehtësimit të masave dhe kthimit në normalitet pas kufizimeve që janë vendosur për parandalimin e COVID-19. Nesër, më 18 maj, fillon faza e dytë e lehtësimit të masave, kur edhe do të hapet një numër i veprimtarive dhe do të zgjatet orari i lëvizjes së njerëzve.

Faza e tretë është planifikuar të fillojë më 1 qershor, kur do të ketë edhe është planifikuar të mbahet testi i maturës dhe ai i arritshmërisë dhe të zhvillohen provimet në arsimin e lartë, të lëshohen në funksion taksitë dhe veprimtari të tjera.

Më 13 mars në Kosovë është regjistruar rasti i parë me COVID-19.

Që nga regjistrimi i rastit të parë, Qeveria e Kosovës me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike ka marrë vendime që kanë kufizuar lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mbylljen e bizneseve, transportit dhe veprimtarive të tjera.

Kur kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur në Kosovë është shënuar rasti i parë me COVID-19, sot, Kosova numëron 978 persona të infektuar, 713 të shëruar dhe 29 të vdekur.

Në botë, numri i të prekurve me COVID-19 ka shkuar mbi 4.7 milionë kurse numri i të vdekurve mbi 313 mijë.