Nesër dorëzohet në Kuvend peticioni me nënshkrimet për riprocedim të Projektligjit për Trustin

Nesër në ora 10:00 do të dorëzohen në Kuvendin e Kosovës nënshkrimet e peticionit për nismën legjislative qytetare për Projektligjin për Trustin.

Kështu ka njoftuar njëri nga organizatorët, Adnan Jashari.

Ai ka treguar se peticioni do të dorëzohet së bashku me të gjithë vullnetarët që kanë kontribuar për peticionin.

Jashari ka shtuar se nga ora 13:00 do të takohen me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, të cilit do t’ia dorëzojnë formën e Projektligjit të Trustit për riprocedim në Kuvend.

Projektligji për Trustin, përmes të cilit kërkohet që qytetarëve t’u mundësohet të tërheqin 30 për qind të kursimeve pensionale, ka dështuar të votohet më 23 qershor.

44 vota të partive opozitare ishin pro këtij Projektligji derisa 57 deputetë të pozitës kanë votuar kundër. Vetëm një ka abstenuar.

Projektligji për tërheqjen e kursimeve nga Trusti Pensional të Kosovës ishte iniciuar nga PDK-ja derisa ishte përkrahur nga partitë e tjera opozitare. Ndërkaq, LVV, ka dalë kundër.