Nesër ceremonia e varrimit të aktores Leze Qena

Aktorja Leze Qena do të varroset nesër, më 26 mars, në ora 17:00 në varrezat e në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Kohën për varrimin e aktores Qena e ka konfirmuar për media ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, pas homazheve që ka bërë para fotografisë së aktores para Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Homazhe dhe nderime për të nderuar aktoren Leze Qena janë mbajtur sot  para Teatrit Kombëtar. Homazhet janë mbajtur  gjatë kohës sa nuk kishte kufizim të lëvizjes së qytetarëve, duke u respektuar këshillat e institucioneve përkatëse shëndetësore për distancën publike për t’u mbrojtur nga coronavirusi.

Pas homazheve ministrja Dumoshi ka thënë për media se varrimi i aktores do të bëhet nesër në varrezat e qytetit.

“Varrimi i të ndjerës bëhet nesër në ora pesë (17:00) në varrezat e “Arbërisë” në Prishtinë. Familja ka kërkuar që kortezhi i saj të vijë  vetëm vetura, deri te Teatri dhe pastaj nga Teatri të vazhdohet në varreza”, ka thënë Dumoshi.

Ajo ka thënë se aktorja Leze Qena ka merituar një përcjellje më të mirë, por për shkak të situatës nuk ka mundësi të ndonjë organizimi tjetër.

“Leze Qena ka merituar një përcjellje dinjitoze ashtu siç ajo ka na ka dhuruar gjatë gjithë jetës, dashuri, qysh në kohët më të vështira. Gjithësesi pasi të kalojë situata me Coronavirusin ne do të mbajmë mbledhje komemorative apo diçka tjetër”, ka thënë ministrja Dumoshi.

Aktorja Leze Qena ka vdekur sot në moshën 85 vjeçare në QKUK, deri sa ishte në mjekim intensiv.