Ilustrim

Nesër bëhet publike vlera e koeficientit të pagave

Ndonëse ishte premtuar që gjatë muajit janar të bëhej publik vlera e koeficienti përmes te cilit caktohen pagat në sektorin publik, kjo nuk do të ndodhë.

Burime të KALLXO.com brenda Qeverisë së Kosovës kanë bërë me dije se nesër do të bëhet publik vlera e koeficientit.

Premtimi se koeficienti do të publikohej gjatë janarit ishte dhënë nga Qeveria e Kosovës, e cila në një përgjigje për KALLXO.com kishte bërë të ditur se vlera monetare e koeficientit pritet të caktohet gjatë muaji që jemi aktualisht. 

“Vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave”- kishte thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Kryeziu për KALLXO.com kishte bërë të ditur se me buxhetin e vitit 2023 janë ndarë mbi 700 milionë euro për paga në sektorin publik.

“Sipas Ligjit për Buxhetin e vitit 2023, që u miratua në dhjetor të vitit që lamë pas, totali i përgjithshëm i buxhetit për paga në sektorin publik për vitin 2023 do të jetë 745 milionë euro”- tha ai, ndërsa nuk ka bërë të ditur sa është shuma e mjeteve qe parashihet të ndahet për pagat të cilat do të rriten pas hyrjes në fuqi të Ligjit për paga.

Ligji për pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës më 22 dhjetor 2022.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar dje shpalljen e Ligjit për pagat në sektorin publik.

Pas dekretimit nga presidentja, ky Ligj pritet të publikohet në Gazetën Zyrtare, ndërsa një muaj më pas hyn në fuqi.

Projektligji i cili ka nxitur reagime tash e sa muaj, më 22 dhjetor 2022 ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e Parlamentit.

Kritikat e tyre lidheshin kryesisht me moscaktimin e vlerës së koeficientit.

Në muajin shkurt në media rrodhi një draft i Projektligjit për paga në sektorin publik, në të cilin koeficientët ishin nga 1 deri në 20.

Në atë kohë pati reagime e pakënaqësi nga kategori të ndryshme të zyrtarëve publikë në lidhje me koeficientët. Por, në atë draft të Projektligjit nuk ishte përcaktuar vlera e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij Ligji ndërsa në vitet pasardhëse do të përcaktohej në Ligjin për buxhetin.

Zyrtarisht as tash nuk dihet sa është koeficienti.

Projektligji i pagave në sektorin publik nuk u miratua në Kuvend gjatë muajit mars.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit, Ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.

Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj.

Gjatë janarit, qeveria pritet ta caktojë vlerën e koeficientit të pagave