Nëse vazhdon moti pa reshje, Liqeni i Badovcit do mbushet nga ai i Ujmanit

Muajt e fundit kanë qenë jashtëzakonisht të varfër sa u përket reshjeve atmosferike.

Kjo situatë ka rezultuar edhe me rënien e nivelit të ujit në pothuajse të gjitha liqenet e Kosovës, duke ngjallur shqetësime edhe sa i përket furnizimit të qytetarëve me ujë të pijshëm.

Mungesa e reshjeve ka ndikuar që të thahen në masë të madhe edhe dy liqenet kryesore prej nga furnizohen Prishtina dhe qendrat përreth saj – ai i Batllavës dhe i Badovcit.

Bie niveli i ujit në liqenet e Badocit dhe Batllavës

Përkundër kësaj situate, Arjeta Mjeku nga Zyra për Informim e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal Prishtina thotë se furnizmi me ujë të pijshëm 24 orë nuk është ndërprerë.

Por, KUR Prishtina ka hartuar një plan të reduktimeve nëse vazhdon mungesa e reshjeve.

“Furnizimi me ujë të pijshëm është 24 h pandërprerë edhe pse niveli i ujit në liqenet akumuluese Batllava e Badovci ka rënie prej më shumë se 10 metra e gjysmë nga kuota maksimale e kapërderdhjes, por me të gjitha mundësitë teknike të sistemit po mundohemi të mbajmë edhe më tej këtë tempo të rregullt furnizues për të gjithë konsumatorët duke mos krijuar telashe në sistemin e shpërndarjes. Njëkohësisht, Ujësjellësi ka përpiluar edhe planin e redukimeve të ujit përballë gjendjes së thatësirave që vazhdojnë të mbretërojnë si rezultat i ndryshimeve klimatike dhe një plan i tillë së shpejti do të jetë pranë konsumatorëve”, tha për KALLXO.com zyrtarja për informim e Ujësjellësit.

Kurse, sa i përket mundësisë për mbushje të Liqenit të Badovcit nga ai i Ujmanit, Mjeku thotë se ky opsion është vetëm nëse vazhdohet me këtë ritëm edhe 2-3 muajt e ardhshëm.

“Për një mundësi të tillë për mbushjen e Liqenit të Badovcit nga Liqeni i Ujmanit nëpërmjet kanalit të ujitjes së Ibër-Lepencit nga Mihaliqi deri në Çagllavicë, për të pompuar pastaj ujin nga stacioni i pompave në Liqenin e Badovcit mbetet opcionale nëse do të vazhdohet me mungesë të reshjeve në dy apo tre muajt e ardhshëm. Ne do të punojmë në atë drejtim dhe të jemi gati nëse do të kemi vazhdim të thatësirave”, shtoi tutje Mjeku.

Kriza për ujë në Gjilan, a po rrezikohen rajonet tjera?

Sipas saj, tashmë kanë impiantin për trajtim të ujërave të zeza që rrjedhin në drejtim të liqenit për trajtim paraprak, kurse në Liqenin e Batllavës është duke u finalizuar rrjeti i kanalizmit të fshatrave ku po pritet të ndërtohet një impiant si i lartpërmenduri për fshatin Orllan më rrethinë.

“Në mbrojtje të Liqenit të Badovcit tashmë kemi Impiantin për trajtim të ujërave të ndotura që do të thotë se ujërat që rrjedhin në drejtim të  liqenit trajtohen paraprakisht. Në Liqenin e Batllavës (0rllan) është duke u finalizuar rrjeti i kanalizimeve të fshatit dhe paralelisht duhet të ndërtohet impianti për trajtimin e ujërave të ndotura, që financohet nga Qeveria zvicerane dhe ajo e Kosovës. Shpresoj se këtë vit të finalizohen këto projekte dhe projekti për furnizim me ujin e pijes për fshatin Orllan me rrethinë”, theksoi Arjeta Mjeku.

Tutje Mjeku shtoi se për momentin Liqeni i Batllavës dhe ai Badovcit, të cilët varen vetëm nga akumulimi i reshjeve atmosferike, janë 10 metra nën nivel, por gjendja ka qenë më e keqe në vitet 2013-2014, kur kanë qenë 14 metra nën nivel.

Sa i përket cilësisë së ujit, ajo tha se është sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe se cilësia e ujit kontrollohet në baza ditore.