'Nëse nuk kalojnë këto ligje, rrezikohen shumë procese'- Çka ndodhi në seancën e orëve të vona në Kuvend?
Seanca e Kuvendit të Kosovës që u ndërpre pas ‘konfrontimit’ të kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe deputetëve të Listës Serbe, vazhdoi në orët e vona të mbrëmjes së 5 dhjetorit 2024, duke u përmbyllur me miratimin e dhjetëra projektligjeve që u votuan vetëm nga deputetët e shumicës në parlament.
Seanca e rregullt plenare kishte nisur punimet nga ora 14:00 dhe në rend dite kishte 27 pika, por ajo zgjati deri pak minuta para mesnate (23:50) pas kërkesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për shmangie të afateve të caktuara për të miratuar në shqyrtim të dytë një sërë projektligjesh.
Në nisje të seancës së mbrëmjes, Konjufca ka thënë se në rend dite janë projektligje që “nëse nuk kalojnë brenda këtij afati kohor, rrezikohen shumë procese të rëndësishme në Republikën e Kosovës”.
Pas kësaj deklarate, u miratua në lexim të dytë, Projektligji për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, Projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, Projektligji për shërbimin e pagesave, dhe Projektligji për provimin e maturës shtetërore.
Tutje Konjufca propozoi seancë të jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës – shqyrtimin në lexim të dytë të Projektligjit për Gjykatën Administrative.
LVV propozoi shmangie të Rregullores teksa njoftoi se për mbajtjen e kësaj seance kanë siguruar 40 nënshkrimet e deputetëve.
Ligji për Gjykatën Administrative u miratua me 62 vota të deputetëve të pranishëm në sallë.
Konjufca e mbylli seancën e jashtëzakonshme dhe iu kthye pikave të pa përfunduara të rendit të ditës, për të cilat ishin mbledhur fillimisht.
Projektrezoluta për vlerësimin e punës së Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil për 2022 nuk mori votat e nevojshme, ndërsa u miratua Projektrezoluta tjetër për vlerësimin e punës së Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për vitin 2023.
Gjatë kësaj seance, Kuvendi kaloi në të dyja leximet edhe Projektligjin për financimin e menaxhimit të resurseve ujore, Projektligjin për Inspektoratin Qendror të mjedisit, Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, Projektligjin kundër dukurive negative në sport, Projektligjin për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale.
Deputetët kanë miratuar kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale për caktimin e taksës për investime vjetore dhe asaj operacionale për 2025, Rregulloren e punës së Komisionarit parlamentar për FSK-në, Raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për ndërmarrjet publike me plotësim-ndryshime, Raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e Ligjit për odat e profesionistëve shëndetësorë, si dhe atë për mbikëqyrjen e ndërmarrjeve sociale, ndërsa Raporti vjetor i ndërmarrjes publike KOSTT për 2023 nuk u miratua në mungesë të kuorumit.
Rikthimi i dy deputetëve të AAK-së në seancë dhe ironia e Kryeparlamentarit
Pak para se Kuvendi t’i mbyllte punimet, dy deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri dhe Pal Lekaj shkuan në seancë.
Shfaqja e dy deputetëve të AAK-së në sallë u shoqërua me duartrokitje e të qeshura në Kuvend.
Kryeparlamentari u ngrit në këmbë për ta përshëndetur Besnik Tahirin ndërsa tha se “nuk ka qare pa ja jep fjalën”.
“Kurrë shtetin ma të sigurtë se ke pasë, çka po tutesh. Deputeti që çohet në 12 të natës prej Bradashit dhe vjen në Kuvend të Kosovës kjo është për t`u përshëndetur, prandaj ja jap fjalën”- u shpreh Konjufca.
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka kritikuar mënyrën e organizimit të seancës, duke e cilësuar si “kontrabandim të ligjeve” dhe një veprim të papranueshëm që nuk ka arsyetim logjik.
“Jo nuk ka asnjë arsyeshëmri, a jeni duke e ditë çka jeni duke bë, sinqerisht jam duke iu pyetur. Qysh more seancë të jashtëzakonshme në pikë të natës, pa arsye. Po as nuk ka Rusia, as Kina… e as luftë nuk ka, të sigurt jeni, mos u tutni. Prapë mblidhni, i bëni 62 deputetë. Arsyeja pse jemi bashkë me Palin është me iu thënë së s’ka një logjikë, asnjë argument. Është kontrabandim i ligjeve”, ka thënë Tahiri.
Kurse kryeparlamentari Glauk Konjufca, iu drejtua Tahirit me ironi: “E prej atje je ardh me na kallxu diçka që e lexuam në Facebook a?”.
Falënderimi i shefes së grupit
Pas miratimit të ligjeve, fjalën e mori shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila për t’i falënderuar deputetët e LVV-së “që qëndruan stoikisht për 14 orë duke miratuar 18 ligje”.
“Një falënderim nga zemra për 14 orët. Sot bashkë kemi miratu 18 ligje, kemi kompletu tre borde. Kemi miratua pesë raporte. Me këtë mundemi me thanë që kemi pas një ditë të suksesshme”- u shpreh Kusari.
FOL e quan “aksham Pazar” seancën e Kuvendit
Lëvizja FOL që merret me promovimin e transparencës dhe llogaridhënies në institucionet publike, më 05.12.2024, ka reaguar lidhur me seancën e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se vendimet e marra në këtë seancën cenojnë parimet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
“Seanca e Kuvendit të Kosovës ka theksuar nevojën urgjente për të adresuar praktikën e partisë në pushtet, e cila, për qëllime elektorale, po miraton ligje të rëndësishme pa respektuar standardet dhe procedurat që një shtet demokratik duhet të ndjekë”- thuhet në reagim.
Lëvizja FOL konsideron se zhvillimet e fundit në Kuvend reflektojnë një prirje të rrezikshme për dobësimin e shtetit të së drejtës dhe favorizimin e interesave të ngushta politike.
Sipas FOL, shqyrtimi dhe miratimi në parim i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pa siguruar kohë dhe hapësirë të mjaftueshme për diskutime dhe konsultime të gjera publike me të gjithë akterët e interesuar, reflekton një qasje të nxituar dhe të motivuar politikisht.
Bordi i drejtorëve të KOSTT dhe rikthimi i Listës Serbe në seancë
Kuvendi i Kosovës në seancën e mbajtur gjatë ditës, ka emëruar Rejhane Zylfijaj, Gëzim Tosuni dhe Lumnie Zeka – drejtorë te Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT),
Tri partitë opozitare të cilat nuk kanë marrë pjesë në votim, kanë akuzuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje se emrat e zgjedhur kanë lidhje familjare me ministrat e kësaj partie.
Sipas deputetes së LDK-së, Doarsa Kica- Xhelili, gruaja e ministrit Liburn Aliu, e nipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, u votuan nga LVV për Bordin e Drejtorëve të KOSTT.
Ministrat e përmendur nuk iu përgjigjen interesimit të KALLXO.com për ketë cështje. Informacione për KALLXO.com nuk ka dhënë as shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari- Lila.
Një tjetër zhvillim jo i zakonshëm u regjistrua në seancën e 5 dhejtorit 2024, kur në Kuvend u rikthyen deputetët e Listës Serbe.
Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka thënë se ardhja e tyre në Kuvend një herë në gjashtë muaj është “sjellje e patolerueshme”.
Ai ka kërkuar nga të njëjtit ta lirojnë Kuvendin e Kosovës, ndërsa u ka thënë “Shkoni edhe rrini gatitu Shefit kriminel [Millan] Radoiçiq”.
Edhe herëve të tjera, deputetët serbë janë paraqitur në seancë pikërisht në kohën, kur u është afruar gjashtëmujori i mospjesëmarrjes në Kuvend, meqë sipas Nenit 70 të Kushtetutës: “Mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse mungon në seancat e Kuvendit gjashtë muaj rresht”.
Vitin e kaluar KALLXO.com pati raportuar se pavarësisht mungesave, deputetëve serbë rroga mujore iu ka ecur normalisht njëjtë si deputetëve të tjerë.