Pushka e sekuestruar në Prizren. Foto: Policia e Kosovës

'Nëse ju shoh te ara kam me ju vra', Policia jep detaje për kanosjen në Prizren

Katër persona janë kanosur me jetë në Prizren nga një i dyshuar, për një kontest pronësor të pazgjidhur.

Kanosja është thënë se ka ndodhur jashtë objektit të gjykatës, pas një seance gjyqësore.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i dyshuari H.A., 66-vjeçar, iu ishte drejtuar katër viktimave të cilët janë të njohur për të me “Nëse ju shoh te ara kam me ju vra”.

Nga katër viktimat J.A., 36-vjeçar, R.A., 68-vjeçar, K.A., 34-vjeçar, dhe S.P., 47-vjeçar pas kanosjes Policia ka mësuar se i dyshuari në shtëpinë e tij posedon një armë zjarri pa leje valide.

Ngjarja është raportuar se ka ndodhur dje, dhe menjëherë pas pranimit të informatës nga ana e hetuesve policor u tha se është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit.

Sipas njoftimit të PK-së, në shtëpinë e të dyshuarit dhe në prezencë të avokatit të tij janë gjetur dhe më pas janë sekuestruar një armë zjarri e llojit Smith & Wesson SD9, dy karikatorë dhe 46 fishekë si dhe një pushkë pneumatike e modelit Perfecta.

Lidhur me rastin është thënë se është konsultuar Prokurori i Shtetit me vendim të së cilit armët e gjetura janë sekuestruar.

Ndaj të dyshuari janë iniciuar rastet e veprës penale kanosja mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i pa autorizuar i armëve.

Policia ka treguar se me urdhër të Prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Arma e sekuestruar në Prizren. Foto: Policia e Kosovës
Pushka e sekuestruar në Prizren. Foto: Policia e Kosovës
Fishekët e sekuestruar në Prizren. Foto: Policia e Kosovës