Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nëntë vatra zjarri aktive në Kosovë, gjendja mbetet serioze në Shtupeq të Rugovës

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se gjendja në terren me zjarret paraqitet e menaxhueshme nga strukturat operative për zjarrfikje dhe shpëtim në të gjitha komunat e Kosovës.

Tutje në njoftim thuhet se aktualisht aktive në Kosovë janë 9 vatra zjarri.

“Aktualisht janë 9 vatra aktive ku përveç zonës së bjeshkëve të Rugovës, rrezik paraqitet edhe për komunën e Suharekës dhe Prizrenit me vatra të reja zjarri”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e kësaj Agjencisë që është pjesë e Ministrisë së Brendsme, numri i zjarreve në tërë territorin e vendit është në rënie, ndërsa kërcënim serioz ende mbetet zjarri që ka shpërthyer nga data 29 korrik 2021 në parkun nacional Bjeshkët e Nemuna lokacioni Shtupeq, ku intervenimet janë duke vazhduar pa ndërprerë nga i gjithë kapaciteti vendor, por rrethanat e motit dhe terreni rëndë i papërshtatshëm  ka vështirësuar dhe jo rrallëherë ka pamundësuar reagimin nga toka.

Si rrjedhojë e kësaj, Agjencia e Menaxhimit Emergjent  në koordinim me Qendrën Operative të Ministrisë se Punëve te Brendshme ka kërkuar përkrahje nga ajri prej KFOR-it dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi janë vënë në dispozicion për mbështetje nga ajri dy helikopterë për reagim me mundësi edhe për të tretin.

Situata në parkun nacional Bjeshkët e Nemuna është e rënduar shkaku i erërave të forta të cilat pamundësojnë ndërhyrjen me kapacitete nga toka, thuhet tutje në njoftim.

Në rajonet tjera të Kosovës  situata është relativisht e stabilizuar falë angazhimit 24/7 nga njësitë profesionale të fikjes së zjarrit dhe shpëtimit, kapacitetit dhe përkrahjes nga  FSK, Policia, KFOR nga ajri, rojeve të pyjeve dhe parqeve nacionale, vullnetarëve dhe sektorit privat në më shumë se 473  vatra zjarri në gjithë territorin e vendit në 7 ditët e kaluara, dhe me mbi 600 intervenime në zjarre të intensitetit dhe përmasave të ndryshme fushore dhe malore.

Në njoftim po ashtu thuhet se si pasojë e reagimit të njësive profesionale të zjarrfikës dhe shpëtimit (NJPZSH) është raportuar për disa lëndime trupore të zjarrfikësve por fatmirësisht jo me rrezik për jetë.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent apelon te të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për kujdes të shtuar në periudha të ngritjeve të temperaturave, të shmangin ndezjen e zjarreve (pa kontroll të rreptë), dhe të raportojnë zjarret  sa më shpejtë në numrin unik emergjent- 112 pa pagesë.