Foto: Ministria ukrainase e Mbrojtjes / facebook

Nëntë të vrarë e njëzet të plagosur nga sulmet ruse në Ukrainë

Të paktën nëntë njerëz janë vrarë e njëzet të tjerë janë plagosur nga sulmet ruse, në rajonet juglindore të Ukrainës të premten – thanë zyrtarët rajonalë.

Në rajonin e Zaporizhjas u vranë të paktën shtatë njerëz – tha guvernatori i rajonit Ivan Fedorov. Ai theksoi se sulmi shkaktoi zjarr në një garazh për ndreqjen e automjeteve.

Katër të tjerë u plagosën, përfshirë dy fëmijë – shtoi ai.

Disa vendbanime u përballën me mungesë të energjisë elektrike pas sulmeve – sipas tij.

Ndërkohë, një sulm tjetër raketor shkaktoi dëme në një ndërtesë administrative në Krivi Rih, një rajon në juglindje të vendit, duke i vrarë dy njerëz – tha guvernatori Serhii Lysak.

Ekipet e emergjente janë duke i vazhduar kërkimet në vendin e ngjarjes, pasi një person është zhdukur – theksoi ai.

Të paktën gjashtëmbëdhjetë të tjerë, përfshirë një fëmijë, u plagosën – tha shërbimi emergjent, duke shtuar se gjatë sulmit u dëmtuan shtëpi banimi, gjithashtu.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e Luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL