Ilustrim

Nëntë të arrestuar për posedim të narkotikeve në 24 orët e fundit në Kosovë

Pesë raste të posedimit të narkotikeve janë regjistruar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Për këto raste, Policia ka arrestuar nëntë të dyshuar.

Në Prishtinë, janë arrestuar dy burra të dyshuar pasi që gjatë kontrollit të veturës, janë gjetur dhe sekuestruar 26.2 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe një peshore digjitale.

Policia ka njoftuar se pas kontrollit të shtëpisë dhe objekteve përreth janë gjetur sekuestruar edhe 77.2 gram  substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Ngjarja ka ndodhur dje në rrugën Hipokrati në Prishtinë, ndërsa Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.

Ndërsa në Fushë Kosovë për posedim të narkotikëve, dje janë arrestuar tre të dyshuar.

“Njëri nga të dyshuarit sapo ka vërejtur policinë ka hedhur në tokë tre qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 3.01 gram”- ka njoftuar Policia.

Prokurori i shtetit ka rekomanduar që pas intervistimit të dyshuarit të lirohen dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt.

Për të njëjtën vepër penale është arrestuar edhe një burrë në Gjilan.

Të njëjtit gjatë bastisjes në shtëpi i janë gjetur dhe sekuestruar: qese plasmani me peshë 161.9gram, peshore elektrike për matjen e narkotikëve dhe një sasi e substancës narkotike me peshë 161 gram.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 17:00 në rrugën Medlin Ollbrait dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Policia në Gjilan ka arrestuar dy të dyshuar pasi i janë gjetur dhe sekuestruar 373.1 gram substancë e dyshuar narkotike.

Ndërsa, Policia ka njoftuar se gjatë operacionit kanë pësuar lëndime trupore dy policë.

“Dy zyrtarëve policorë dhe njëri nga të dyshuarit i është ofruar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Edhe një burrë në rrugën Ilmi Kallaba në Gjilan është arrestuar dje për posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

Sipas Policisë, të njëjtit i janë gjetur dhe sekuestruar 822.6  gram substancë e dyshuar narkotike dhe një peshore digjitale.

Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje, ka njoftuar Policia.