Policia e Kosovës Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Nëntë raste të dhunës në familje

Sipas raportit të Policisë së Kosovës në 24 orët e fundit janë raportuar nëntë raste të dhunës në familje ku prej të gjitha këtyre rasteve viktimat kanë qenë gra.

Njëra prej ngjarjeve raportohet të ketë ndodhur më 13 qershor në Fushë Kosovë ku raportohet se një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Sipas policisë, i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, teksa rasti vazhdon nën hetime.

Në po të njëjtën datë janë raportuar edhe tre raste të tjera të dhunës në familje. Këto raste raportohen të kenë ndodhur në Graçanicë, në Obiliq dhe në Prizren.

Në Graçanicë raportohet se një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

“Nuk raportohet për lëndime trupore. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje, rasti nën hetime”, është thënë në raportin e PK-së.

Në Obiliq raportohet se pas një mosmarrëveshje verbale një burrë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij.

Sipas Policisë palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Një tjetër rast raportohet të ketë ndodhur në Prizren ku është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje kurse rasti vazhdon nën hetime.

Një rast tjetër i dhunës në familje raportohet të ketë ndodhur më 14 qershor në Prishtinë.

Sipas Policisë një grua ka pranuar trajtim mjekësor pasi që e njëjta  pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

“Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, është bërë e ditur në raportin e policisë.

Po ashtu, një tjetër burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht gruan e tij pas një mosmarrëveshje verbale.

Tutje, policia ka bërë të ditur se i dyshuari gjendet në arrati ndërsa rasti në procedurë hetimore.

Ngjarja raportohet se ka ndodhur në Rahovec në orën 20:05.

Një tjetër viktimë e dhunës raportohet të ketë qenë një grua në Gjakovë e cila është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Policia ka njoftuar se palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Ngjarja ka ndodhur me datën 14 qershor rreth orës 17:00.

Gjithashtu, më 14 qershor raportohet se një grua në Malishevë është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

“Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Ndërkaq, në Mitrovicë një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje verbale është sulmuar fizikisht nga djali i saj. Ky i fundit është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.