Ilustrim

Nëntë raste të dhunës në familje në 24 orë – arrestime e konfiskime armësh

Nëntë raste të dhunës në familje u raportuan në Policinë e Kosovës gjatë orëve të fundit të 31.07.2024 dhe gjatë ditës së 01.08.2024.

Në Obiliq burri ka njoftuar se është kanosur nga djali i tij, teksa nuk raportohet për të arrestuar por rasti po hetohet.

Gruaja nga Lipjani raportoi se bashkëshorti i saj i ka shkaktuar dhunë psiqike, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Një burrë u arrestua në Gjilan pasi që përmes telefonit, me mesazhe ofendoi dhe kërcënoi ish-bashkëshorten. I arrestuari u dërgua në mbajtje.

Një grua u arrestua në Prizren, ajo dyshohet se kishe sulmuar fizikisht bashkëshortin. Pas intervistimit u dërgua në mbajtje.

Dërgim në shtëpi të sigurt u detyrua Policia të kryejë për një grua në Klinë e cila ka raportuar se u sulmua fizikisht nga bashkëshorti. Rasti shkoi në procedurë të rregullt.

Gruaja nga Peja dyshohet se sulmoi fizikisht vajzën e saj. E dyshuara u arrestua dhe u dërgua në mbajtje.

Në Policinë e Istogut një grua raportoi se djali i vëllait kreu dhunë në familje ndaj saj. Për këtë rast u konfiskuan një pistoletë dhe një pushkë gjuetie. I dyshuari u ndalua për 48 orë.

Sulmoi fizikisht bashkëshorten dhe vajzën e tij, një burrë nga Malisheva u arrestua dhe dërgua në mbajtje.

Në Mitrovicë të Veriut, një grua raportoi se u sulmua fizikisht nga bashkëshorti i saj. I dyshuari gjendet në mbajtje lidhur me një rast tjetër.