Nëntë prona të Postës së Kosovës janë të uzurpuara nga operatori publik postar i Serbisë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se nëntë prona me vlerë 199 mijë e 600 euro të Postës së Kosovës janë të uzurpuara nga operatori publik postar i Serbisë e në të cilat Posta nuk ka asnjë kontroll dhe nuk realizon përfitime ekonomike.

Gjatë ditës së sotme është publikuar raporti i auditimit për Postën e Kosovës nga ZKA, ndërsa janë shpalosur edhe gjetje të shumta në lidhje me punën dhe funksionimin e kësaj ndërmarrjeje publike.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, këto prona në të cilat Posta e Kosovës nuk ka kontroll, janë mbivlerësuar në 199 mijë e 60 euro, sa ishte vlera neto në librat për pronat e uzurpuara.

“Sipas Raportit nga Vlerësuesi i Pavarur dhe informatave të ofruara nga zyrtarët e PK-së, nëntë prona me vlerë neto në libra prej 199,600 euro, janë të uzurpuara nga operatori publik postar i Serbisë, mbi të cilat Posta e Kosovës sh.a., nuk ka kontrollë dhe nuk realizon përfitime ekonomike nga këto prona. Kompania këto prona i kishte të regjistruara në sistemin e kontabilitetit si joaktive për të cilat nuk kishte aplikuar shpenzimet e zhvlerësimit për vitin 2020, mirëpo kishte shkaktuar mbivlerësim të vlerës neto në libra të pasurive fikse për shumën prej 199,600 euro”, thuhet në raportin e auditimit.

Tutje sipas ZKA-së kompania e kishte konsideruar si rrezik të humbjes së gjurmëve të pasurive nëse nuk i mbajnë edhe më tutje në regjistrin e pasurive fikse këto prona.

Gjithashtu Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar bordin të drejtorëve që të sigurojë se janë marrë veprime korrigjuese në lidhje me ndryshimet e nevojshme në regjistrin e pasurisë sipas gjendjes faktike dhe ligjore të konstatuar.

“Për më tepër, të sigurojë zbatimin e rregullt të harmonizimeve në mes të raporteve të komisionit për inventarizim, përditësimeve të kontesteve nga zyra ligjore me regjistrin e pasurisë në kontabilitet. Informatat e detajuara lidhur me pronat e uzurpuara të shpalosen në pasqyrën e shënimeve shpjeguese”, thuhet në raport.