Nëntë muaj pa kryetar, llapjanët presin zgjidhje për hallet nga komuna

Agim Veliu braktisi pozitën e Kryetarit  në Podujevë për të marrë drejtimin e një ministrie në ekzekutivin qendror. Që nga shkurtii i këtij viti, Komuna e Podujevës udhëhiqet nga numri dy i kësaj komune, Nexhmi Rudari.

Derisa zgjedhjet pritej të mbaheshin në mars të këtij viti, pandemia e COVID-19 shtyu ato për disa muaj. Tash kur votimet janë planifikuar të mbahen më 29 nëntor, nuk dihet  nëse numri i rasteve të reja do ta pamundësojë edhe njëherë mbajtjen e zgjedhjeve në Llap.

Megjithatë derisa po presin zgjedhjet, problemet e llapjanëve presin zgjidhje nga qeveria lokale të cilës i prin Nexhmi Rudarit.

Shumë fshatra kanë probleme me mungesë të ujit të pijes, disa të tjerë me rrugët e vendbanime tjera ujërat e zeza i derdhin nëpër lumenjtë e liqe për shkak se u mungon kanalizimi. Deponitë ilegale me bërllog, gjithashtu është problem i madh në këtë komunë.

Premtimet e Agim Veliut

Si politikan me përvojë disa vjeçare në qeverisjen lokale e disa të tjera në nivel qendror, Agim Veliu ishte kujdesshëm në dhënien e premtimeve gjatë fushatës për zgjedhjet lokale në vitin 2017.

Në debatin “Jeta në Komunë”, ish-kryetari i Podujevës kishte thënë se çështja e ujërave të zeza që derdhen në liqenin e “Batllavës” është punë e kryer.

“Është lidhur kontrata me punë kryes për trajtimin e ujërave të zeza në Liqenin e Batllavës, donacion nga Ambasada Zvicerane dhe për pak ditë do të fillojë punimi”, kishte premtuar Agim Veliu.

Por, tri vjet pas, ujërat e zeza të fshatit Orllan vazhdojnë të derdhen në liqenin nga i cili furnizohen shumë vendbanime me ujë të pijes.

Ujërat e zeza derdhen në liqenin e Batllavës
Ujërat e zeza derdhen në liqenin e Batllavës

Fotografitë e siguruara nga KALLXO.com tregojnë se në liqe ende derdhen kanalizimet, edhe pas tri viteve qeverisje të LDK-së.

Ministri i tanishëm i Punëve të Brendshme kishte premtuar se gruaja do të merrte pozitë më të favorshme në pozita udhëheqëse brenda komunës, por, Komuna e Podujevës numëron vetëm një grua si drejtoreshë. Ndërsa, dy kishte vetëm një mandat më parë.

“Mandatin e ardhshëm do i rrisim”, deklaronte Veliu pa dhënë ndonjë numër sesa do të ishte numri i grave në krye të drejtorive komunale.

Në debatin “Jeta në Komunë” Veliu kishte premtuar se të gjitha rrugët e kësaj komune do të shtrohen me asfalt. Por, shumë rrugë nëpër shumë fshatra vazhdojnë të jenë të paasfaltuara.

“Të gjitha rrugët e komunës së Podujevës do të trajtohen. Fillimisht me përparësi ato me asfalt, pastaj një pjesë e tyre me zhavorr dhe kështu me radhë vit pas viti deri në asfaltimin final të të gjitha rrugëve”, thoshte Agim Veliu.

Por, rruga në fshatin Balloc është ende e paasfaltuar. Gjithashtu, e paasfaltuar është edhe rruga e fshatit Bellopojë.

E pa asfaltuar dhe në gjendje jo të mirë është edhe rruga e fshatit Metergavc dhe fshatit Gerdoc.

Rruga e fshatit Metergavc

Rrugët në kohë fushate

Më 15 mars të këtij vitin ishte paraparë mbajtja e zgjdhjeve për kryetar të Komunës së Podujevës. Për të parin e kësaj komune kandiduan vetëm tre kandidatë, nga tri partitë kryesore.

Nexhmi Rudari, si nënkryetar i komunës nga LDK synonte ta drejtonte Podujevën. Shpejtim Bulliqi, një ish-anëtar i LDK-së, ia mësyu të partit të Podujevës nga Lëvizja Vetëvendsoje. Ndërsa, nga PDK Naim Fetahu.

Derisa fushata mbahej nëpër çdo fshat të kësaj komune, disa punë nisën të bëheshin. Për shembull, në fshatin Sallobajë rrugët u shtruan me zhavorr deri tek dera e shtëpive.

Rrugët u shtruan me zhavor në kohë fushate në fshatin Ballabajë

Në anën tjetër, në kohë fushate Komuna e Podujevës planifikoi t’i shpenzonte 135 mijë euro në sera.

Bërllogu në Llap

Derisa kanidonte për mandatin e tij të dytë si kryetar komune, Agim Veliu premtonte se do të menaxhonte më mirë mbeturinat e do të pastronte deponitë ilegale npër shumë vendbanime të këtij rajoni.

Deponi ilegale me mbeturina në disa rajone të Llapit u panë edhe gjatë qeverisjës së nënkryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, sikur kjo në fshatin Shtedim.

Deponi ilegale në fshatin Shtedim
Deponi ilegale në fshatin Shtedim

Një deponi me mbeturina e papastruar është edhe në lagjen e “Bracalive”.

Deponi me mbeturina e papastruar është edhe në lagjen e “Bracalive”

E po ashtu, mbeturna shihen edhe në afërsi të “Tregut të Gjelbërt” në qytetin e Podujevës.

Deponi me mbeturina në afërsi të “Tregut të Gjelbërt” në qytetin e Podujevës

Premtimet e tjera të Veliut

Organizata jo-qeveritare “Instituti GAP” ka përmbledhur 33 premtimet e Agim Veliut, të dhëna gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale në 2017.

Të dhënat tregojnë se nga 33, Veliu qeverisja lokale në Podujevë përmbushi vetëm 12 premtime. Tetë të tjera janë kategorizuar si gjysmë të përmbushura, dy vetëm kanë filluar dhe 11 të tjera nuk kanë filluar fare.

Qeverisja e Agim Veliut ‘nën llupën’ e Auditorit

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për Komunën e Podujevës ka gjetur se qeverisja që udhëhiqej nga Agim Veliu përgjatë vitit 2019 kishte dhënë një tender për një kompani, ani pse ajo nuk e kishte ofertën më të ulët kur kishte aplikuar.

Kështu, oferta e cila ishte më e shtrenjtë për 75 mijë euro doli fituese e tenderit ndërsa ajo që ofertoi më lirë nuk fitoi.

“Komuna për ndërtimin e trotuareve nëpër disa fshatra Llot 2, kishte lidhur kontratë më datën 19.08.2019 në vlerë 331,177€, ndërsa kishte eliminuar operatorin ekonomik që kishte ofertën më të lirë me vlerë 255,447€”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori ka shpjeguar tutje se komuna e ka vlerësuar ofertën totale.

“Gjithashtu komuna nuk ka marr parasysh shpjegimet e dorëzuara nga operatori ekonomik mbi procesin e prodhimit të elementeve të betonit nga fabrika të cilën e zotëronte apo minierën për nxjerrjen e gurit dhe përpunimin e gurit në pronësi të operatorit ekonomik të eliminuar. Komuna e kishte eliminuar ofertuesin më të lirë me arsyetimin se kishin vlerësuar totalin e ofertës dhe jo pozicionet. Ndërsa, shpjegimet nga OE i kishte kërkuar për pozicionet”, shpjegon tutje raporti i Auditorit.

Sipas këtij institucioni vlerësues, mostrajtimi i barabartë i operatorëve ekonomik, përveç që është jo ligjore, ndikon edhe në buxhetin komunal.

Gjatë muajit janar të këtij viti, KALLXO.com raportoi se një kompani i kishte fituar 27 tender në komunën që udhëhiqej nga Agim Veliu i LDK-së.

Komuna e udhëhequr nga Agim Veliu i ka dhënë 27 tenderë një kompanie të vetme në 20 muajt e fundit. Kompania ‘N.N.N. Bini’  gjatë periudhës ‘Prill 2018 – Dhjetor 2019’ i ka fituar 27 tenderë në Komunën e Podujevës me vlerë totale rreth 1 milionë e 850 mijë euro.

Pronari i kompanisë “Bini”, Afrim Hajdari në një bisedë për KALLXO.com kishte arsyetuar marrjen e tenderëve në Komunën e Podujevës.

“Çdo tender që e kam marrë, e kam marrë me çmimin me të ulët. E vetmja arsyeja që i kam fitu është çmimi më i ulët”, thotë Hajdari për Gazetën JnK.

Hajdari thoshte se nuk merret me politikë dhe tenderët nuk i ka marrë për shkak të lidhjeve politike.

Por Hajdari nuk e kishte përjashtuar se e voton LDK-në, siç thoshte “Si krejt Llapi”.

“Unë nuk jam zyrtar në parti, s’kam pozitë. Normal që e kam votu LDK-në, si krejt Llapi. Absolutisht hiç asnjë ndihmë se kam. Në komunën e Podujevës ma shumë fitojnë firma të qyteteve tjera se të Podujevës”, deklaronte ai, duke shtuar se asnjëherë në jetë nuk ka dhënë para për LDK-në e as nuk ka ndihmuar financiarisht fushatën e ndonjë personi të LDK-së.

Auditori për vitin 2018

Komuna e Podujevës kishte anashkaluar kriteret për dhënien e subvencioneve për organizimin e disa aktiviteteve.

Kështu pati gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në Komunën e Podujevës për vitin 2018.

Sipas ZKA-së, për subvencionimin e Organizatave Joqeveritare për organizimin e aktiviteteve kulturore, rinore, sportive, në thirrjen e datës 30 mars 2018, komuna nuk kishte përpiluar listën e aplikuesve me pikët e përfituara nga secili, në bazë të cilave edhe do të përfitonin subvencionin.

Sipas raportit, komuna kishte përpiluar vetëm listën me emrat e përfituesve.

“Për më tepër, një aplikues kërkesa e të cilit figuronte në librin e protokollit, nuk figuronte fare në lisën e aplikuesve. Komuna arsyetohet me faktin se kjo rregullore ka filluar se zbatuari në qershorin e vitit të kaluar dhe ende nuk janë familjarizuar mirë me kërkesat që dalin nga ajo. Derisa sipas tyre, aplikuesi që nuk është në listë nuk kishte qenë rezident”, thuhet në gjetjen e Auditorit për vitin 2018.

Auditori, ndërkaq thekson se Rregullorja 04/20176 lidhur me subvencionimin e OJQ, neni 16 përcakton kriteret dhe proceduarat e vlerësimit të aplikacioneve.

ZKA vlerëson se mos respektimi i rregulloreve të vendosura nga ministria, mund të shpie në keq përdorim të qëllimit të subvencioneve, dhe njëkohësisht dëmton direkt përfituesit potencial.

Punësimi i personave pa përvojë profesionale

Zyra Kombëtare eAuditorit kishte gjetur mangësi në udhëheqjen e procedurave të rekrutimit në Komunën e Podujevës për vitin 2018, kur këtë komunë e udhëhiqte Agim Veliu i LDK-së.

Nga gjashtë raste të testuara lidhur me rekrutimin e stafit, në dy prej tyre ZKA-ja kishte identifikuar se njëri kandidat për pozitën mjek i përgjithshëm në QKMF nuk kishte ofruar dëshmi rreth përvojës së punës, ndërkaq, tjetri kandidat për pozitën zyrtar i të hyrave financiare nuk kishte përvojën e kërkuar sipas kriterit të konkursit.

“Sipas konkursit ‘Mjek i përgjithshëm në QKMF’ është kërkuar që kandidatët të kenë një (1) vit përvojë pune. Kandidati i përzgjedhur për këtë pozitë nuk kishte ofruar dëshmi rreth përvojës së punës. Sipas kryetarit të komisionit përzgjedhës të gjithë kandidatët që kanë aplikuar janë përfshirë në listën e ngushtë, ndërsa kandidati i përzgjedhur ka arritur rezultatin më të mirë gjatë testimit me shkrim dhe intervistës”, thuhej në raportin e Auditorit.

Kurse, sipas konkursit “Zyrtar i të hyrave financiare” është kërkuar që kandidatët të kenë 2 vite përvojë pune profesionale.

“Kandidati i përzgjedhur për këtë pozitë sipas aplikacionit nuk kishte përvojën e kërkuar. Sipas kryetarit të komisionit përzgjedhës kandidati i përzgjedhur ka qenë duke punuar me marrëveshje për shërbime të veçanta, dhe për këtë arsye është përfshi në listën e ngushtë dhe më pas ka arritur rezultatin më të mirë”, thuhej më tej në raport.

Auditori ka theksuar se mos respektimi i kritereve sipas konkursit rrit rrezikun për diskriminim të kandidateve të cilët mund të jenë më kompetent për atë pozitë.

Realizimi i buxhetit

Ngecje në Komunën e Podujevës pati edhe sa i përket realizimit të buxhetit në vitin 2018.

“Komuna kishte buxhetuar 7,012,525€ për të investuar në projekte kapitale, nga të cilat ka shpenzuar vetëm 68% apo 4,744,046€. Komuna e pranon këtë sfidë për të cilën sipas saj shkaktarë janë, vonesat në inicimin dhe lidhjen e kontratave, vonesat e realizimit të punëve nga kompanitë dhe mos zgjidhja me kohë e çështjeve pronësore në vendet ku bëhen investimet”, theksonte raporti i ZKA-së.

Sipas Auditorit, për 21 projekte, apo 15 për qind nga 138 projektet e vitit 2018, të cilat kanë filluar dhe ato që nuk kanë përfunduar do të shpenzohen të hyrat e bartura apo buxheti i vitit 2019.

Mos efikasitet në Podujevë gjatë 2018-ës ka pasur edhe në mbledhjen e të hyrave.

Menaxhim i dobët i kontratave për qiradhënie

ZKA kishte gjetur se në kontratën për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës në shfrytëzim parashihen të drejtat dhe detyrimet mes qiramarrësit dhe komunës.

Sipas raportit, Komuna e Podujevës në fund të vitit 2017, i kishte dhënë kompanisë kontratë për shfrytëzim të hapësirave për vendosje të reklamave/pano, dhe e njëjta nuk iu kishte përmbajtur asaj.

29 persona të punësuar me kontratë mbi vepër

ZKA në Komunën e Podujevës gjatë 2018-ës ka gjetur mangësi tek kontratat për shërbime të veçanta.

Sipas raportit, komuna për realizimin e shërbimeve të domosdoshme, kishte angazhuar 29 persona përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV).

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).