Nënshkrimi i memorandumit për trashëgimi kulturore; Fotografi:KALLXO.com

Nënshkruhet memorandumi për menaxhimin e kompleksit historik në Prizren

Kryeministri Avdullah Hoti, ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi dhe kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka kanë nënshkruar memorandumin për menaxhimin e trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike dhe Kalanë e Prizrenit.

“Kompleksi i Prizrenit do të mbetet prioritet i Qeverisë për ta vendosur atë si qendër në hartën kulturore” tha Dumoshi.

Vlora Dumoshi tha se këto projekte janë realizuar se bashku me organizatat joqeveritare të trashëgimisë kulturore “CHwB Kosova” dhe “EC Ma Ndryshe.”

Kryeministri Avdullah Hoti tha se do të mbushin të gjitha kriteret që të bëhen pjesë e trashëgimisë botërore.

“Praktikisht i gjithë Prizreni është zonë historike por do të fillojmë me këto dyja fillimisht” tha Hoti.

Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka tha se do të bëjnë edhe restaurimin e shtëpive të vjetra në rrugën “Marin Barleti.”

“Kemi probleme lidhur me UNESCO-në sa i përket aspekteve ndërkombëtare. Një ditë të bëjmë aplikimin për listën e trashëgimisë botërore. Mendoj që këto dokumente që po bëhen nga ana e Ministrisë së Kulturës do të ndihmojnë t’i ruajmë këto monumente” tha Haskuka.