Foto: QRTKP

Nënshkruhet memorandumi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Prizren

Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren (QRTK- Prizren) dhe Drejtoria e Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor në këtë komunë, kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Prizrenit.

QRTK-ja në Prizren, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se memorandumi është nënshkruar nga Samir Hoxha, drejtor i QRTK-së dhe Beni Kizolli, drejtor i Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Qëllimi i këtij memorandumi, sipas komunikatës së QRTK-së në Prizren, është që të zhvillojë një platformë bashkëpunimi të ngushtë dhe efikas në mes të, QRTK dhe DUPH me qëllim të mbrojtjes, ruajtjes, rehabilitimit dhe mirëmbajtjes së karakteristikave tradicionale, historike e urbane të Qendrës Historike të Prizrenit (QHP).

“Përzgjedhja e dy shtëpive, ajo e familje Arapi dhe familjes Gjonaj që janë pjesë e listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje, është bërë nga ana e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, ndërkaq Komuna e Prizrenit përmes Drejtorisë së Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor do të siguroj mjetet financiare në vlerë rreth 90 mijë euro për investimin e projekteve të planifikuara, i cili  do të bëhet gjatë vitit 2021”, thuhet në komunikatë.

Drejtori i QRTK-së, Hoxha, thuhet më tej në komunikatë, pas nënshkrimin është shprehur se qëllimi i këtij memorandumi është realizimi i interesave të dyanshme në fushën e ruajtjes, mbrojtjes dhe promovimit të Trashëgimisë Kulturore në Komunën e Prizrenit, në përputhje me kriteret, standardet dhe legjislacionin në fuqi

“Përzgjedhja e dy ndërtesave ajo e familjes Arapi dhe familjes Gjonaj të cilat do t’i nënshtrohen procesit të restaurimit dhe konservimit, është bërë nga ana e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, marrë për bazë vlerat dhe rëndësinë e veçantë historike dhe arkitektonike që kanë ndërtesat ato. Realizimi i këtyre projekteve bëhen me qëllim të realizimit të objektivave dhe synimeve të QRTK-së për 2021, përkatësisht për zbatimin e prioriteteve programore për ruajtjen e ndërtesave tradicionale, të cilat gjendën në kuadër të QHP-së”, ka thënë Hoxha, citon komunikata.

Ndërkaq, po sipas komunikatës së QRTK-së, drejtori i Urbanizmit të Prizrenit, Beni Kizolli, ka vlerësuar gatishmërinë e treguar nga QRTK-ja në realizimin e këtyre projekteve në Komunën e Prizrenit.

Foto: QRTKP