Foto: Ministria e Drejtësisë

Nënshkruhet memorandum mes komunave dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve

Zëvendësministri i Drejtësisë, njëherit koordinatori nacional për mbrojtje nga dhuna në familje, Florian Dushi, sot ka marrë pjesë në një ceremoni zyrtare të organizuar nga OSBE me rastin e nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit në mes të komunave dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë.

Sipas një komunikate të MD-së, Dushi gjatë kësaj ceremonie theksoi se nënshkrimi i këtij memorandumi në mes të komunave dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, përveç që do të ndihmojë Qendrën për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, njëherit do të obligojë akterët relevantë që të merren me këtë fenomen, përfshirë edhe institucionet që zbatojnë ligjet dhe politikat për parandalimin e dhunës në familje.

Mes tjerash thuhet se ai i ka njoftuar të pranishmit me hapat konkretë të cilët janë ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë në krijimin e mekanizmave adekuatë në parandalimin e dhunës në familje si nevojë për zbatimin e  Strategjisë Kombëtare Kundër Dhunës në Familje dhe Planit të Veprimit 2010-2020, i cili i trajton shërbimet për viktimat dhe ndjekjen penale të kryesve të krimit.

“Ministria e Drejtësisë ka ndërmarr hapa konkret duke nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Rrjetin e Grave të Kosovës dhe Shoqatës – Rrjeti i Shitësve me Pakicë, për qasje dhe lehtësim në punësim të personave të strehuar në strehimoret e dhunës në familje”, citohet të ketë thënë zëvendësministri.

Ai gjithashtu thuhet se ka përmendur edhe sfidat me të cilat janë ballafaquar gjatë implementimit të strategjisë së kaluar, ndër to edhe çështja e financimit të qëndrueshëm për strehimoret, rehabilitimi dhe riintegrimi i viktimave, trajtimi i kryesve, strehimi i nënave me fëmijë dhe harmonizimi i legjislacionit nacional me dokumentet më të rëndësishme ndërkombëtare.

Sipas Dushit, strategjia e re do të adresojë rritjen e shërbimeve të rehabilitimit të viktimave të dhunës në familje duke bërë ndarjen e fondeve për shërbime integruese afatgjata në nivelin qendror dhe lokal.

Ai ka shtuar se do të bëhet themelimi i institucioneve dhe këshillimoreve me programe obligative për kryesit e dhunës.

Në këtë strategji do të parashihet që në strehimore të ketë edhe një aneks për strehimin e nënave me fëmijë djem mbi 12 vjeç.

Zëvendësministri ka falënderuar shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, për bashkëpunimin e deritanishëm shumë të rëndësishëm për Zyrën e Koordinatorit Nacional për Mbrojtje nga Dhuna në Familje si dhe të gjithë ata të cilët janë angazhuar në çështjet që kanë të bëjnë me viktimat e dhunës në familje.

Ai theksoi rëndësinë e vazhdimësisë së këtij bashkëpunimi me qëllim të arritjes së një progresi substancial në parandalimin dhe trajtimin efikas të rasteve të dhunës në familje.

Dhuna në familje është në mesin e dukurive negative më të shprehura në Kosovë.